Vendosni fjalën kyçe....

Nesër protesta e opozitës, policia: Bllokimi i qarkullimit vepër penale, qytetarët të përdorin rrugë alternative


PD-ja ka kërkuar tre orë leje për protestën e nesërme, pjesë e asaj që opozita e quan mosbindje civile në mbarë vendin.

Leja është kërkuar nga ora 17 deri në orën 20 të mbrëmjes në disa prej rrugëve dhe kryqëzimeve kryesore të vendit.

“Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë paraqitur kërkesën për zhvillim të tubimeve, nga ora 17:00 deri në orën 20:00 të datës 29.10.2024, në disa akse rrugore kryesore në vend, konkretisht: “Tiranë–Durrës”, pranë mbikalimit të Kamzës; “Durrës-Tiranë”, pranë mbikalimit të Shkozetit; “Kashar–Milot”, pranë kryqëzimit të Milotit; “Elbasan–Tiranë”, te rrethrrotullimi i Bradasheshit; “Durrës–Fier”, te rrethrrotullimi i Rrogozhinës dhe “Levan–Tepelenë”, te rrethrrotullimi i Levanit.” – thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkohë policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bllokojnë rrugët pasi kjo përbën vepër penale dhe cilido që do i bllokojë do përgjigjet para ligjit.

Policia u bën thirrje qytetarëve që të zgjedhin rrugë alternative, sidomos ata që duhet të udhëtojnë drejt Rinasit.

“Bllokimi i akseve rrugore është vepër penale e parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal dhe cilido që do të ndërmarrë veprime për të bllokuar rrugët, do të përballet me pasojat që sjell shkelja e këtij neni.

Ndërkohë për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve që do të qarkullojnë në akset rrugore të mësipërme, Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa që në rast bllokimi, të devijojë qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative. Gjithashtu, qytetarët që duan të udhëtojnë drejt Rinasit, me qëllim daljen jashtë vendit, duhet që për shkak të trafikut që mund të krijohet, të arrijnë në aeroport para orës 17:00, ose të përdorin rrugët alternative për të mbërritur në kohë.” – vijon njoftimi i policisë.