Vendosni fjalën kyçe....

“Rama, Berisha e Meta aleancë kundër SPAK-ut, Trekëndëshi i Bermudës presion drejtësisë” – Basha


Kreu i Demokratëve Euroatlantikë ka denoncuar kryeministrin Rama e kreun e PD-së Berisha për shantazh e aleancë kundër SPAK-ut.

Në një shënim në Facebook Lulzim Basha shkruan se Rama e Berisha po përpiqen të amnistojnë krerët e pandëshkuar të 34 viteve të fundit, pasi më herët amnistuan së bashku “bishtat” e korrupsionit. Basha shton se mosbindja civile ka si qëllim goditjen e drejtësisë.

“Aleanca kundër SPAK është në veprim me kohë të plotë. Sot pamë dy shfaqje të koordinuara: në njërën sulmohej hapur SPAK dhe shantazhohej drejtësia, ndërsa në tjetrën, me një gjuhë më të moderuar, kërkohej reformimi i saj, që në realitet do të thotë vendosje nën kontroll. Pasi amnistuan “bishtat” e korrupsionit, tani po përgatiten të amnistojnë “kokat” e pandëshkuara të 34 viteve të fundit. Frika nga një fund i padenjë për një sistem të kalbur në zemër, sidomos pas rënies së dy prej tre shtyllave të “Trekëndëshit të Bermudës”, ka intensifikuar përpjekjet për të nxitur një krizë të re artificiale, objektivi final i së cilës është një amnisti e re për të mbuluar korrupsionin e kaluar. Shfaqja e mosbindjes civile, që është risjellë në skenë, ka vetëm një qëllim: të godasë drejtësinë për të shpëtuar ata që duan të mbajnë peng Shqipërinë.” – shkruan Basha.

Kreu i Demokratëve Euroatlantikë shton më tej se pak muaj më parë Rama e Berisha liruan të korruptuarit përmes aministisë që votuan së bashku ndërsa më pas bashkuan votat edhe për mbylljen e listave për zgjedhjet e vitit 2025.

“Muaj më parë u faktua denoncimi ynë për komplotin kundër SPAK dhe GJKKO, kur me votën e Ramës dhe Berishës u liruan të korruptuarit, ndërsa opozitarët mbetën në burg, u vërtetua plotësisht.

Bashkimi i votave vijoi më pas për mbylljen e listave, në vend që të kërkohej një Reformë e plotë Zgjedhore. Tani vazhdojnë përpjekjet e përbashkëta për të vënë drejtësinë nën kontroll dhe për të amnistuar ata që, nga majat më të larta të shtetit shqiptar, kanë abuzuar me besimin, pronat dhe taksat e qytetarëve. Pas marrëveshjeve për amnistinë, vulën dhe listat, vijojnë përpjekjet e Sali Berishës dhe Edi Ramës për të kontrolluar drejtësinë dhe për të shpëtuar veten nga përgjegjësia. Kjo është një lojë e ndyrë për të mbajtur në fuqi pandëshkueshmërinë dhe për të mbajtur peng Shqipërinë.” – shton Basha.

Në fund ai i bën thirrje drejtësisë që të mos shantazhohet e të mos bjerë pre e presionit politik po të nxjerrë para përgjegjësisë politikanët e korruptuar.

“Thirrja ime për drejtësinë, në të gjitha nivelet e saj, është të mos shantazhohet dhe të mos bjerë pre e presionit politik. Misioni i saj historik është të bëjë drejtësi, të çojë para ligjit politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin, që kanë përdhosur besimin dhe vullnetin e shqiptarëve dhe jo të garantojë pushtetin e tyre. Shqiptarët meritojnë një drejtësi që garanton mirëqeverisje dhe një jetë më të mirë për familjet shqiptare. Shqipëria meriton më shumë.” – mbyll shënimin Basha.