Vendosni fjalën kyçe....

Gjermania dhe Kroacia me furnizime të reja të tankeve për Ukrainën


Kroacia do të furnizojë Ukrainën me dhjetëra tanke dhe mjete luftarake të këmbësorisë si pjesë e një marrëveshjeje me Berlinin, njoftoi sot ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, raporton Anadolu.

Kroacia ka shpallur gatishmërinë e saj për të ofruar 30 tanke luftarake dhe 30 automjete luftarake të këmbësorisë nga rezervat e saj, i pari prej të cilëve do t’i dorëzohet Ukrainës para fundit të këtij viti”, tha Pistorius në një konferencë shtypi në Berlin.

Deklaratat e tij erdhën pas një takimi me homologun e tij kroat Ivan Anushiq.

Pistorius tha se ata kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët synimi për furnizimin me tanke dhe automjete të blinduara për Ukrainën.

“Kjo mbështetje do të përfshijë edhe municione dhe paketat e nevojshme të pjesëve të këmbimit. Nga ana jonë, Gjermania do të lehtësojë dorëzimin duke i ofruar mbështetje financiare Kroacisë”, tha ai, duke shtuar se këto mjete do të përdoren për blerjen e Kroacisë të tankeve të avancuara Leopard 2A8 nga Gjermania.

“Kroacia po investon shumë në modernizimin e forcave të saj të armatosura dhe jam i kënaqur që ju dëshironi të blini Leopard 2A8. Ne po sigurojmë që kapacitetet prodhuese të ruhen, gjithashtu përmes vendimeve të tilla blerja, dhe po përdorim gjithnjë e më shumë të njëjtat sisteme brenda aleancës së NATO-s. Nevoja për ndërveprim është më e qartë për ne sot se kurrë më parë”, shtoi ai.

Sipas marrëveshjes, Kroacia do t’i dorëzojë Ukrainës 30 tanke M-84 dhe 30 automjete luftarake këmbësorie M-80 nga rezervat e saj ushtarake.

Tanket dhe mjetet e blinduara të prodhimit jugosllav pritet të vendosen me shpejtësi për shkak të njohjes së tyre mes forcave ukrainase, të cilat kanë përvojë të gjerë në operimin e modeleve të ngjashme.