Vendosni fjalën kyçe....

Hezbollahu emëron Naim Qassem-in si udhëheqësin e ri


Hezbollah ka emëruar Naim Qassem si sekretar të ri të përgjithshëm të grupit pas vrasjes së Hassan Nasrallah nga Izraeli muajin e kaluar, njoftoi zyra e medias e grupit në një deklaratë të martën, përcjell CNN.

Këshilli i Lartë i Hezbollahut tha se vendimi është marrë në përputhje me procesin e tij të përzgjedhjes së udhëheqjes. Sipas deklaratës, Qassem është i përkushtuar ndaj “Islamit autentik të profetit Muhamed” dhe parimeve thelbësore të Hezbollahut.

 

Kush është Sheikh Naim Qassem?

I lindur në vitin 1953 në Bejrut, Qassem ka qenë një figurë e lartë në Hezbollah për më shumë se 30 vjet.

Ai u emërua zëvendës shef në vitin 1991 dhe mbeti në detyrën e tij kur Hassan Nasrallah u bë lider një vit më vonë.

Qassem ishte anëtari i parë i udhëheqjes së lartë të Hezbollahut që bëri komente televizive pasi Nasrallah u vra muajin e kaluar.

Ai tha se Hezbollahu do të zgjidhte një pasardhës të liderit të tij të vrarë “në rastin më të parë” dhe do të vazhdonte të luftonte Izraelin në solidaritet me palestinezët.

Këtë muaj, ai tha se konflikti midis Hezbollahut dhe Izraelit ishte një luftë se kush qan i pari dhe Hezbollahu nuk do të qante i pari.

Por ai shtoi se grupi mbështeti përpjekjet e kryetarit të parlamentit të Libanit, Nabih Berri, për të siguruar një armëpushim, për herë të parë duke mos përmendur një marrëveshje armëpushimi në Gaza si një parakusht për ndalimin e zjarrit të grupit ndaj Izraelit.