Vendosni fjalën kyçe....

Ish-këshilltari i Trump lirohet nga burgu

Steve Bannon, këshilltari i ish-presidentit amerikan, Donald Trump, është liruar nga burgu, pasi ka kaluar katër muaj prapa grilave.

Bannon, 70-vjeçar, është liruar prej qendrës korrektuese në Konektikat të martën, kanë bërë të ditur autoritetet e burgut.

Bannon, nikoqir konservator i një podkasti, dhe figurë e rëndësishme në kampin e Trumpit për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, është dënuar për përbuzje të Kongresit më 2022, kur ka refuzuar t’i përgjigjet një thirrjeje të kongresistëve lidhur me hetimet për trazirat në Kongres, më 6 janar të vitit 2021.

Sipas të përditshmes amerikane, New York Times, Bannon ka thënë para lirimit se “nëse njerëzit kanë menduar se politika amerikane ka qenë përçarëse më parë, nuk kanë parë gjë akoma”.

Banon pritet të incizojë podkastin e tij – Dhoma e Luftës – të martën, dhe të mbajë një konferencë për media në qytetin e Nju Jorkut.

Para se të futej në burg, Bannon ka qenë besnik i Trumpit dhe armiqësor ndaj figurave demokratike.

“Jam i burgosur politik i Nancy Pelosit, jam i burgosur politik i Merrick Garlandit, jam i burgosur politik i Joe Bidenit dhe udhëheqësisë së korruptuar të Bidenit”, ka thënë ai para se të burgosej.

Bannon është zotuar se do të vazhdojë të ndihmojë Trumpin edhe prej burgut.

“I kam shërbyer vendit tim për 10 vjet apo më shumë”, ka thënë ai për transmetuesin britanik BBC, para se të futej në burg, duke iu referuar politikës dhe sloganit të Trumpit, “Bëjeni Amerikën të mrekullueshme sërish”.

“Nëse do të më duhet të punoj nga burgu, do të punoj nga burgu, nuk ka asnjë dallim”.

Ai ka përsëritur vazhdimisht pretendimin e rrejshëm së zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 janë vjedhur.

Bannon po përballet me telashe tjera ligjore – është i paditur për spastrim parash, mashtrime dhe komplot – në disa raste të ndara.

Ai është akuzuar se ka mashtruar donatorët për të ndarë fonde për të ndërtuar një pjesë të murit mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës.

Vetë Bannon është deklaruar i pafajshëm ndaj të gjithave akuzave.