Vendosni fjalën kyçe....

Mosbindja civile e opozitës përfundon pas tre orësh, bllokim rrugësh, djegie gomash dhe përplasje sporadike me policinë


Protesta e opozitës e shtrirë në disa qarqe është mbyllur.

E nisur prej orës 17:00 duke bllokuar disa nga pikat hyrëse opozita vendosi të tërhiqej pas tre orësh duke paralajmëruar aksione të mëtejshme.

Kryesisht u bllokuan nyjet në Bradashes, të Elbasanit, nyja e ish-sheshit Shqiponja në Tiranë, nyja në Milot, ajo në Shkozet të Durrësit, rrethrrotullimi i Rrogozhinës dhe ai i Levanit.

Bllokada e opozitës u mbyll kryesisht pa incidente madhore me tensione sporadike dhe djegie tek tuk të gomave.

Në Shkozet, Milot dhe Tiranë janë djegur disa goma, por pa probleme, ndërsa policia nuk ka ndërhyrë, ndërsa i ka drejtuar thirrje protestuesve me megafon që të shpërndahen dhe të zhbllokojnë rrugët.

Flamur Noka, Sekretar i Përgjithshëm i PD-së, e konsideroi një ditë të jashtëzakonshme atë të sotme, duke theksuar se i gjithë vendi ishte në duart e opozitës. “Qytetarët bënë gjithçka që të shmangin përplasjen me forcat e policisë. Ishte një ditë e zezë e bandave të pushtetit. Tentuan të intimidojnë opozitën, mosbindja civile po jep frytet e veta”, tha Noka.

Pas mbylljes së akseve qarkullimi ka nisur sërish me autoritetet që filluan të normalizojnë situatën.

Protesta e opozitës erdhi pas arrestimit të Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta e cila u konsiderua si përpjekje e qeverisë për të shtypur kundërshtarët politikë.

Mesazhi që opozita dha në këtë mosbindje civile ishte kërkesa për qeveri teknike para zgjedhjeve, lirimi i Sali Berishës dhe Ilir Metës.