Vendosni fjalën kyçe....

Beleri u godit me vezë dhe kos, Berisha: Akt rrugaçërie, thirrje PE-së të dënojë aktin e paprecedent


Ish-kryeministri Sali Berisha ka dënuar ashpër sulmin me vezë dhe kos ndaj eurodeputetit Fredi Beleri, duke e quajtur këtë veprim si një akt rrugaçërie të motivuar nga hakmarrja. Ai akuzoi Edi Ramën për organizimin e këtij incidenti dhe kërkoi që Parlamenti Europian të reagojë ndaj tij.

Berisha tha se Beleri, që ndodhet në Shqipëri si pjesë e një delegacioni të Parlamentit Europian, u pengua të hyjë në Kuvend dhe u sulmua nga një provokator, i cili, sipas tij, vepronte me urdhër të Ramës. Ai e quajti këtë një akt banditesk dhe kërkoi dënimin e tij nga institucione ndërkombëtare.

“Akt rrugaçërie, i denjë vetëm për Edi Ramën!

Të dashur miq, në një akt hakmarrje primitive ndaj Fredi Belerit i cili ndodhet në Shqipëri si anëtar i delegacionit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, me urdhër të Edi Ramës, i mbyllën derën e Parlamentit dhe nuk e lanë të futet deri sa erdhi provokatori patronazhist për të agresuar eurodeputetin Beleri. Provokatori pas aktit banditesk u largua i qetë.

Me këtë rast dënoj me forcën më të madhe aktin banditesk të porositur nga Edi Rama ndaj eurodeputetit Beleri në detyrë. I bëj thirrje Parlamentit Europian të dënojë aktin e paprecedent ndaj deputetit Beleri të organizuar nga Edi Rama, i cili pasi i rrëmbeu mandatin e Kryetarit të Bashkisë Himarë dhe e burgosi me dëshmitarë të rremë i organizon me banditë agresionin fizik”, shprehet Berisha.