Policia ka dhënë të tjera hollësi mbi atentatin në Shkodër ku mbetën të vrarë dy persona dhe u plagosën dy të tjerë.
Policia thotë se në makinën e atentatorëve dhe në makinën e viktimave janë gjetur armë zjarri.
Në makinën e atentatorëve janë gjetur 2 armë zjarri automatike ndërsa në makinën e viktimave janë gjetur 3 armë zjarri pistoleta.
“Në vijim të informacionit të dhënë më parë për ngjarjen e ndodhur në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, ju informojmë se:
Nga kontrolli i ushtruar në automjetin që udhëtonin shtetasit H. L., dhe A. B., u gjetën 3 armë zjarri (pistoleta).
Ndërkohë shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të zonës për kapjen e autorëve, në fshatin Golem kanë konstatuar të djegur plotësisht një automjet tip “Range Rover” dhe 2 armë zjarri automatike.
Grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po vijon punën për zbardhjen e rrethanave, sigurimin e provave me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve”-njofton policia.