Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria miraton pr.ligjin, krijohet Forca Rezerviste/ Ministri Vengu: Kemi një mbështetje financiare 15.5 mln euro



Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, njoftoi sot miratimin e projektligjit për krijimin e Forcës Rezerviste në Shqipëri. Ai theksoi se ky hap është i domosdoshëm për të përmbushur standardet e NATO-s dhe për t’u përballur me sfidat e reja të sigurisë.

Sipas projektligjit, ushtarakët aktivë që zgjedhin të zhvillojnë karrierën në sektorin privat do të kenë mundësinë të rikthehen në Forcat Armatoresh për misione specifike, përfshirë ato paqeruajtëse në kuadër të angazhimeve të NATO-s.

Vengu nënvizoi rëndësinë e këtij ligji për të ofruar një karrierë më fleksibël për ushtarët dhe njoftoi se qeveria ka parashikuar një mbështetje financiare prej 15.5 milion euro për formimin e forcës rezerviste.

“Miratuam projektligjin për funksionimin dhe organizimin e forcës rezerviste në Republikën e Shqipërisë. Në kuadër të detyrimeve dhe standardeve të NATO-s si dhe sfidave të reja të sigurisë ka lindur nevoja që të konsiderojmë krijimin dhe organizimin e forcës së rezervistëve në RSH.

Kjo u jep mundësinë ushtarakëve aktivë që kanë vendosur për arsye të ndryshme të zhvillojnë karrierën e tyre në privat në funksione me teknicitet të lartë u japim mundësi nëpërmjet këtij pr.ligji të kthehen në FA për misione specifike, me detyrime gjithashtu që mund të mbulojnë dhe misione paqeruajtëse, misionet në kuadër të angazhimeve në NATO-s apo në rajon.

Kjo është e rëndësishme sepse i japim mundësinë karrierës ushtarake të jetë më fleksibël. Në këtë mënyrë përmes forcës rezerviste hapim rrugën e karrierës ushtarake.

Që nga hyrja në fuqi e këtij projektligji dhe mbështetjen e parlamentit ne synojmë që fillim viti që vjen të na gjejë në hapat e para të formimit të forcës rezerviste.

Kemi një mbështetje financiare të dedikuar për forcën rezerviste 15.5 mln euro për këtë forcë dhe një angazhim në vitet në vijim. Në këtë mënyrë i kthehemi standardeve të NATO-s. Kemi një instrument tjetër për t’u bërë një FA më tërheqëse. U jep mundësi FA-ve të kenë një gamë personeli më të gjerë”, deklaroi ministri Vengu.