Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, komentoi sot paraqitjen e deputetes Elda Hoti në SPAK, duke e cilësuar atë si një situatë qesharake. Ai theksoi se Hoti u thirr në SPAK pasi Spiropali kishte “ndjerë një aromë të keqe”.
Bardhi e akuzoi SPAK-un se ka injoruar paditë për vjedhjet dhe aferat milionë eurosh të qeverisë, duke përmendur se nuk kanë gjetur kohë për të hetuar se ku kanë përfunduar 180 milion euro.
Ai gjithashtu kritikoi lidhjet mes Policisë së Shtetit dhe SPAK-ut, duke kërkuar që kjo e fundit të hetojë me seriozitet situatën dhe të mos bjerë pre e presioneve politike.
“Si përfaqësuese e qytetarëve do duhej të ishte me grupin në seancë plenare por në mënyrë qesharake, ishte thirrur në SPAK sepse Spiropali, përfaqësuese e Pëllumb Gjokës në Kuvendin e Shqipërisë, e di shumë mirë SPAK, kishte ndjerë një aromë të keqe.
Dhe këtë kishte ardhur fillimisht ta nuhaste, përfaqësues i bandës së Elbasanit, drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe këtë SPAK-u e di shumë mirë, Ilir Proda është i emëruar nga banda në krye të policisë dhe mbi bazën e nuhatjes së tyre sot koleges time iu mor 30 minuta kohë për një qeshje qesharake.
Grupi i PD ka paditur vjedhjet dhe aferat miliona euro të kësaj qeverie. SPAK-u nuk ka gjetur kohë për ta thirrur dhe pyetur se ku kanë shkuar 180 mln euro.
E kuptoj që disa prokurorët duan të japin mesazhin që janë në shërbim të Edi Ramës, por të arrijnë deri në pikën sa të bëhen qesharakë, të harxhojnë kohën e tyre me çështje qesharake, zhbën besimin tek e gjitha trupa e prokurorëve. Padyshim që Policia e Shtetit nuk ka asnjë lidhje me seancën plenare dhe SPAK duhet të kishte marrë nën hetim Policinë e Shtetit që futet në Kuvendin e Shqipërisë”, deklaroi Bardhi.