Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) ka prezantuar platformën më të re kërkimore “Audio dhe Videotekën online”, duke sjellë në kompjuterin personal të studiuesve materialet dëgjimore dhe filmike mbi zhvillimet politike në Shqipërinë e pasvitit 1945.
8,071 kaseta dhe 318 videokaseta, që u përkasin fondit personal të diktatorit Enver Hoxha dhe fjalimeve të mbajtura nga përfaqësues të nomenklaturës komuniste në takime, në plenume, në mbledhje të Komitetit Qendror, të komiteteve dhe të organizatave të Partisë së Punës së Shqipërisë, janë pjesë e arkivit audiovizual, që po i nënshtrohet procesit të digjitalizimit, për t’u bërë i aksesueshëm kudo dhe kurdoherë në adresën videoteka.arkiva.gov.al.
Në prezantimin e kësaj platforme ishin të pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Z. Ardit Bido, Drejtoresha e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF), Znj. Marinela Ndria, historianë dhe studiues, që e vlerësuan këtë risi, si një shtysë për ndërmarrjen e hulumtimeve të mëtejshme.
Në fjalën e tij për mediat, Bido bëri me dije se përdorimi për qëllime didaktike i këtyre materialeve do të jetë falas, duke i ofruar gjeneratës së re një mundësi për të mësuar mbi historinë e Shqipërisë gjatë regjimit komunist.
“Të gjitha materialet e periudhës së komunizmit duhet të jenë të qasshme lirisht për të gjithë. Ne nuk mund që të transmetojmë te brezat e rinj një periudhë të caktuar dhe sidomos pjesën e vendimmarrjes politike në dëm të lirive dhe të drejtave të njeriut, pa i mundësuar që kushdo të mund t’i shohë pa asnjë pengesë. Një gangrenë që ne tashmë prej dy vitesh e kemi hequr qëkur kemi nisur procesin e digjitalizimit masiv të materialeve audio dhe video, që besojmë se do të përfundojë dy vitet e ardhshme. Fatkeqësisht, ky material ka qenë në grahmat e fundit, në degradim e sipër, sepse është material organik dhe i ndikueshëm nga faktori kohë dhe kushtet atmosferike, i paruajtur mirë ndër vite sipas kritereve teknike. Digjitalizimi i këtij fondi shoqërohet me sistemin e ri, në të cilin do të mundet që çdokush të dëgjojë apo të shohë një pjesë të materialit online pa pagesë. Ndërkaq, për të aksesuar materialit e plotë duhet të paraqitet në Sallën e Studimit. Nëse do të pëdoret për qëllime komerciale, nevojitet blerë. Përjashtim do të ketë vetëm në rastin kur do të përdoret për qëllime edukative, qoftë nga shkolla apo universitete, si edhe studiues, që do ta përftojnë falas në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave”, tha kreu i DPA-së.
Më tej, Bido theksoi se përmes kësaj platforme përmbyllet digjializimi i komponentëve të arkivit, duke sjellë në vëmendje risinë e prezantuar më herët nga DPA-ja, Sallën e Studimit Online, që solli në shtëpinë e çdo shqiptari, të këtejkufirit, të trevave dhe nga diaspora, dokumente arkivore falas me të njëjtën procedurë dhe formë, si në Sallën e Studimit në Tiranë.
“Me Audio dhe Videotekën Online ne përfundojmë katër komponentët kryesorë që ka arkivi, të gjithë të qasshëm për publikun. Katalogu, që është vetë arkivi, është puna jonë kryesore, e cila prej pak ditësh është një Sallë Studimi Online, që mund të konsultohet qoftë nga stacioni hapësinor i Nasës, në orë 5 të mëngjesit, falas, sikur të ishte në Sallën e Studimit në Tiranë. Fototeka, që është digjitalizuar diku tek 60 % e materialit, është e qasshme lirisht. Biblioteka, që po pasurohet me dyfishim librash në vitet e fundit dhe është e qasshme në Sallën e Studimit. Audio dhe Videoteka që përmbyll katër komponentët, që përbëjnë interesin e studiuesit për materialet e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave”, përfundoi Bido.
Në fjalën e mbajtur, Znj. Ndria e cilësoi platformën si mjaft të dobishme për ruajtjen afatgjatë të materialit arkivor. “Jam shumë e lumtur për mënyrën sesi po funksionon kjo materie, që është më delikate për t’u digjitalizuar. Ky është një lajm i mrekullueshëm, që një lloj tjetër i suportit të shiritit shpëton në arkivin tonë të përbashkët. Unë shpresoj shumë që pas digjitalizimit, kur materiali vendoset në kushtet e ruajtjes për jetëgjatësi të përhershme, t’i nënshtrohet procesit të restaurimit, në mënyrë që problemet e zërit dhe figurës të shmangen”, tha drejtuesja e AQSHF-së.
Njohja e historisë dhe e trashëgimisë dokumentare kombëtare, si edhe inkurajimi i studimeve albanologjike, janë synimet parësore që e prijnë DPA-në në vënien në zbatim të nismave të saj të njëpasnjëshme. Me rreth 19 milionë dokumente të digjitalizuara në 5-vjeçarin 2019-2024, DPA-ja përfaqëson arkivin qendror më të digjitalizuar në Europë.