Vendosni fjalën kyçe....

Dyshohet se kreu 4 vjedhje, arrestohet 33-vjeçari në Durrës


Një 33-vjeçar është arrestuar nga Policia e Durrësit, i dyshuar për kryerjen e katër vjedhjeve dhe një konflikt fizik me një shtetas tjetër. Operacioni i koduar “Several” u finalizua pas hetimeve intensive dhe informacioneve nga inteligjenca policore.

Arrestimi i shtetasit G. H. u realizua pas identifikimit të tij si autor i vjedhjeve, të cilat përfshijnë vjedhjen e veglave të punës në një pallat në ndërtim, vjedhjen e kabllove elektrike në një kantier ndërtimi, vjedhjen e një shume parash  në një market dhe vjedhjen e veglave të punës në një banesë.

Përveç vjedhjeve, G. H. dyshohet se më 27 tetor 2024, është konfliktuar fizikisht me shtetasin E. T.

Njoftimi i policisë:

DVP Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Several”, si rezultat i hetimeve për zbardhjen e disa rasteve të vjedhjes.       

Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga një 33-vjeçar, i cili dyshohet se ka kryer 4 vjedhje dhe është konfliktuar fizikisht me një shtetas tjetër.

Sekuestrohen shuma parash, vegla pune dhe armë të ftohta, që u gjetën në banesën e 33-vjeçarit.  

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të punës për zbardhjen e rasteve të vjedhjes së pronës dhe pasurisë, bazuar dhe në inteligjencën policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Several”.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera gjatë operacionit, u identifikua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi G. H., 33 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas dyshohet se:

-më datë 29.08.2024, ka vjedhur vegla pune në një pallat në ndërtim, në lagjen nr. 1;

-më datë 11.10.2024, ka vjedhur kabllo elektrike, në një kantier ndërtimi, në lagjen nr. 4;

-më datë 17.10.2024, ka vjedhur një shumë parash (xhiron ditore), në një market në lagjen nr. 1;

-më datë 20.10.2024, ka vjedhur vegla pune në një banesë, në lagjen nr.17/1. 

Gjithshtu, ky shtetas dyshohet se më datë 27.10.2024, në lagjen nr. 17/1, është konfliktuar fizikisht me shtetasin E. T.   

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit G. H., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan shuma parash (euro dhe lekë), vegla pune, një mjet prerës (thikë) dhe një shkop bejsbolli.  

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.