Gazetari Elton Qyno ishte sot në SPAK ku iu dorëzua celulari i të birit, një prej celularëve që iu sekuestruan nga agjentët e BKH-së mbrëmjen që mësynë në shtëpi.
Pas daljes nga SPAK, Qyno tha se ka çuar në Gjykatën Kushtetuese ligjshmërinë e mbajtjes së tij nga SPAK për 12 orë.
“Isha sot sa i përket kthimit të sendeve të sekuestruara ndaj meje. Në Gjykatën Kushtetuese në 12 nëntor do mbahet seanca për ligjshmërinë sa i përket mbajtjes time nga SPAK për 12 orë. Kishin të gjitha këqyrjet e komunikimeve të mia në telefon dhe u pyeta për to. U përmbajta ndaj vendimeve për pezullimin e këtyre këqyrjeve dhe ekspertimeve dhe prandaj zgjodha të mos flisja në ambientet e SPAK-ut.” – tha Qyno.
Gazetari Elton Qyno u mor në pyetje nga SPAK në dhjetor 2023 si dhe iu ushtrua kontroll në banesë nga agjentët e BKH-së lidhur me procedim penal për shkelje të sekretit hetimor.
SPAK thot se materialet e publikuara në media, përputheshin me komunikimet e Nuredin Dumanit me persona të tjerë në aplikacionin “Sky” dhe për këtë arsye, Elton Qynos i është kërkuar të tregonte mënyrën e sigurimit të materialeve që ishin pjesë e akteve hetimore.