Deputeti i Partisë Demokratike u paraqit ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme për t’u pyetur për një kallëzim të bërë ndaj tij.
Baçi është paditur se ka pastruar dhe fshehur një shumë prej 1.5 milionë eurosh.
Gjatë viteve 2010-2012, Luan Baçi ka hedhur rreth 1.5 milionë euro në kompaninë private ‘Geral AM’, para të cilat nuk u dihet burimi dhe nuk janë deklaruar në ILDKPKI.
Aksionet në firmë janë marrë nga gruaja e Baçit, Elsa Baçi. Po në këtë periudhë Luan Baçi është hetuar për korrupsion me patentat kur ka qenë drejtor në Fier, madje në atë kohë ka pasur edhe një masë pezullimi detyre ndaj tij.
Shqiptarja.com ka publikuar procesverbalin e mbajtur nga hetuesi në prokurorinë e posaçme në shkurt të këtij viti të shtetasit Aredin Behari i cili ka depozituar dokumente vullnetarisht për kallëzimin e bërë.
Në daljen e tij nga prokuroria ai tha për mediat se është paraqitur në SPAK pasi është rikallëzuar nga një patronazhist për një çështje që është mbyllur më parë.
““Ka qenë një kallëzim dhe është pushuar si çështje. Është hetuar pasuria ime fill e për pe. Në të gjitha detajet pa asnjë lloj problem. Unë kam transparencë të plotë të punëve dhe biznesit tim. Jam shumë I qetë. Shumë normal. Nuk kam asnjë lloj problem. Është mbyllur si çështje. I njëjti kallëzues patronazhist, ka ardhur përsëri e ka bërë kallëzim. Ndoshta dhe SPAK për t’i bërë qejfin qytetarëve, edhe kur janë mjeranë të tillë që nuk dinë të bëjnë gjë tjetër vetëm të bëjnë kallëzime të tilla”.- tha Baçi.
Kjo është hera e dytë, që Baçi pyetet në Prokurorinë e Posaçme për këtë çështje, ndërsa vetë organi i akuzës nuk ka dhënë detaje. Baçi u pyet për këtë dosje edhe në maj të këtij viti.