Vendosni fjalën kyçe....

Kryeministri spanjoll kërkon mbështetjen e BE-së për përmbytjet katastrofike


Kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez kërkoi mbështetje nga Bashkimi Evropian për të ndihmuar Spanjën të rimëkëmbet nga ajo që ai e quajti “përmbytjet më serioze që kontinenti ynë ka parë deri më tani këtë shekull”.

“Ne jemi në komunikim me Komisionin Evropian dhe se kemi filluar procedurat për të kërkuar ndihmë nga Fondi Evropian i Solidaritetit dhe përdorimin e burimeve të tjera mbështetëse të komunitetit nga Bashkimi Evropian,” tha Sanchez gjatë një konference për shtyp në Madrid.

Përmbytjet shkatërruese deri më tani kanë marrë jetën e 211 personave. Qeveria e Sanchez pritet të miratojë një ‘gjendje katastrofe’ të martën, e cila do të lejojë qasje të shpejtë në ndihmën financiare.

“E di që ka probleme dhe mungesa të rënda, se ka ende shërbime të rrënuara, komuna të varrosura nga balta, njerëz të dëshpëruar që kërkojnë të afërmit e tyre, njerëz që nuk mund të hyjnë në shtëpitë e tyre, shtëpi të shkatërruara dhe të varrosura nga balta.

Sanchez shtoi se ai e di se duhet bërë shumë më tepër, “ne duhet të japim gjithçka”, tha ai, “por unë gjithashtu e di se duhet ta bëjmë së bashku”.

Shumë vullnetarë dolën në rrugë për të ndihmuar pasi u ndjenë të braktisur nga autoritetet. Qeveria spanjolle është goditur gjithashtu nga disa ligjvënës të opozitës dhe publiku, pasi ata besojnë se qeveria qendrore nuk i paralajmëroi njerëzit në kohë.

Sanchez iu drejtua drejtpërdrejt kritikës që mori në fjalimin e tij dhe pranoi se përgjigja e qeverisë dështoi, por tha se do të ketë kohë për të analizuar neglizhencën dhe për të reflektuar se si të përmirësohet ecja përpara.

Do të ketë kohë për të folur për rëndësinë e shërbimeve publike dhe përforcimin e tyre në situatat që po përjetojmë si pasojë e emergjencës klimatike… Tashmë do të ketë kohë për të parë prapa, për të sqaruar përgjegjësitë, për të mësuar për të qenë më mirë përballë këtyre efekteve klimatike që fatkeqësisht do të na shoqërojnë në të ardhmen”.

Spanja do të aktivizojë 10,000 trupa shtesë

Sanchez konfirmoi se 10,000 trupa shtesë do të dislokohen në provincën lindore më të goditur të Valencias, ku dëmet nga stuhia i ngjanin atij të një cunami.

5,000 ushtarë dhe 5,000 policë do të bashkohen me 2,000 ushtarë, 2,500 xhandarë të Gardës Civile dhe 1,800 oficerë policie që janë tashmë aktualisht në rajon.

Ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimin e tyre për personat e zhdukur, pasi zyrtarët kanë frikë se më shumë trupa mund të bllokohen në automjete të shkatërruara dhe garazhe të përmbytura. Zyrtarët spanjollë të emergjencës thanë se shumica e viktimave ishin në rajonin lindor të Valencias dhe paralajmëruan se priten më shumë shi në ditët në vijim.