Vendosni fjalën kyçe....

Protesta në Shkodër, Noka: Policia është njësh me krimin, sikundër i gjithë regjimi


Flamur Noka, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, ka folur në lidhje me marshimin në Shkodër, duke theksuar se qëllimi i protestës është të sensibilizojë qytetarët kundër krimeve të organizuara. Ai e cilësoi Shkodrën si djepin e krimit të organizuar, duke i bërë përgjegjës për këtë situatë Edi Ramën dhe qeverinë e tij.

Ai theksoi se protesta është një marshim kundër krimit politik dhe atij me fytyrë shtetërore. Noka kritikoi policinë, duke e quajtur “narkopolici,” dhe tha se ajo nuk është në përmbushje të detyrave të saj ligjore, por është fokusuar në luftën kundër opozitës.

“Nuk mundet Shqipëria, që ka hapur kapitujt e negociatave dhe është anëtare e NATO-s, të jetë vendi i krimit të organizuar, djepi i mafies.Shqipëria duhet të jetë një Shqipëri tjetër, një Shqipëri normale.

Prandaj jemi këtu, për t’i thënë stop. Plani është marshim, protestë marshim kundër krimit politik, kundër krimit me fytyrë shtetërore.

Policia nuk ka kohë të merret me ligjin, ka dalë nga binarët e ligjit pasi është një narkopolici. Në momentin që policia ka në fokus luftën kundër opozitës, kjo është domethënëse.

Policia është njësh me krimin, sikundër i gjithë regjimi është nën kthetrat e krimit. Mesazhi është për qytetarët të ngrihen kundër narkoregjimit, kundër krimit me pushtet, kundër këtij regjimi që po përpiqet të rrënojë Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë.

Shqiptarët nuk mund të pranojnë një krim që është nën kthetrat e krimit”, tha Noka.