Në podcastin “Flasim,” Kryeministri Edi Rama ka folur për planet e rritjes së pensioneve, duke theksuar se me rritjen ekonomike do të vijë një rritje e nivelit të pensioneve. Ai shpjegoi se, megjithatë, ka sfida në formalizimin e pagave reale të punonjësve, por beson se me masat e duhura, do të arrihet kjo.
Rama njoftoi se që nga viti 2013, mbi 300 mijë punonjës që punonin në të zezë janë futur në skemën e sigurimeve shoqërore. Ai zbuloi se po hapet një korsi e re për pensionet, e cila do të fillojë me bonuse për pensionistët dhe më pas do të realizojë një rritje të ndjeshme përmes indeksimit.
“Fondi i pensioneve është i tillë që, ia merr atyre që paguajnë sigurimet çdo muaj dhe po në fund të muajit ia jep atyre që marrin pensione. Besoj shumë se do të ecim, sepse ka edhe një sensibilizim”, tha Rama.
Kryeministri e konsideroi si një proces atë të rritjes së pensioneve, por shprehu bindjen se do të realizohet.
“Çdo histori suksesi është histori e madhe”, u shpreh Rama, duke shtuar se “në mungesë të këtyre duket se këtu ka vetëm politikanë që zihen, gazetarë që shajnë, ka vetëm kriminelë dhe krime që ndodhin dhe jashtë kësaj vorbulle, ka një Shqipëri të shkretë, që s’ka punë, që braktiset nga të gjithë, që këtu ka vetëm pleq”.
“E kam krijuar këtë hapësirë me njerëz që bëjnë histori në historinë e përbashkët të këtij vendi dhe që përpiqemi të ecim përpara”, tha Rama.