Vendosni fjalën kyçe....

B40/ Veliaj me të rinj nga rajoni: Tirana si Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës, një mundësi për të treguar vlerat


Tirana mikpriti këtë javë një grup të rinjsh nga rajoni, në vijim të aktiviteteve të rrjetit B40, me qëllim rritjen e bashkëpunimit kulturor dhe ekonomik në Ballkan.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, e çeli bashkëbisedimin duke theksuar se vitin tjetër kryeqyteti shqiptar do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut.

“Është vërtet një kënaqësi e jashtëzakonshme që kemi një forum të të rinjve nga i gjithë Ballkani. Ne kemi më shumë gjëra që na bashkojnë, ndaj ky forum bashkon çuna dhe goca, që janë e ardhmja”, tha Veliaj. Si udhëheqëse e rrjetit B40, Veliaj shtoi se Tirana do të shërbejë si spirancë përbashkuese për miqtë e rajonit, që të tregojmë vlerat kulturore të Ballkanit.

 “Ne duhet të bëjmë diçka për 100 vitet e ardhshme dhe jo për 100 vitet e kaluara. Titulli Kryeqyteti Mesdhetar u Kulturës është një mundësi e jashtëzakonshme për ta përdorur Tiranën si një spirancë për të gjithë miqtë, vëllezërit e motrat tanë në Ballkan, e për t’u siguruara që viti i kulturës të mos jetë vetëm i Tiranës, por i të gjithë anëtarëve tanë të B40, për të treguar vlerat kulturore”, tha ai.

Veliaj tha se një nga objektivat e bashkisë së Tiranës vitet e fundit ka qenë orientimi i të rinjve drejt punëve të së ardhmes.

 Për ta përmbushur këtë qëllim, ai përmendi projektet e suksesshme që janë zbatuar te Piramida, si mundësi fantastike për fëmijët dhe të rinjtë.

“Çdo muaj, në Tiranë, 2000 fëmijë marrin kurse falas. Ne e konsiderojmë një të drejtë digjitale. Siç është çdo e drejtë e njeriut për arsim, për shëndetësi, ne e konsiderojmë se të përgatitesh për punët e të ardhmes duhet të jetë një e drejtë themelore e njeriut. Ndaj, kurset e fëmijëve i sponsorizojmë 100%, duke vjelë qiratë që marrim te Piramida”, nënvizoi ai.

Transformimi i Tiranës për 10 vite, sipas kryebashkiakut Veliaj, duhet të shërbejë si shembull motivimi për qytetet e rajonit. Ai shtoi se falë këtyre investimeve ekonomia e qytetit është transformuar.