Koreja e Veriut do e mbështesë Rusinë në luftën e Ukrainës për aq kohë sa duhet, ka thënë ministrja e Jashtme Choe Son-hui, duke shtuar se Pheniani nuk ka dyshime se Moskoja do dalë fitimtare.
Duke folur në një takim me homologun e saj rus Sergej Lavrov në Moskë të premten, Choe vuri në dukje se udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong-un “na dha urdhër që të mbështesim dhe të ndihmojmë me vendosmëri dhe fuqizim ushtrinë ruse dhe popullin rus “.
Sipas ministres, Koreja e Veriut nuk ka dyshim se nën udhëheqjen e Putin “ushtria dhe populli rus do arrijnë një fitore të madhe në luftën për të mbrojtur të drejtat sovrane dhe interesat e sigurisë”. “Ripohojmë se do jemi me vendosmëri pranë shokëve tanë rusë deri në ditën e fitores”.
Ajo gjithashtu vuri në dukje se Rusia dhe Koreja e Veriut po zhvillojnë marrëdhënie në të gjitha sferat, përfshirë mbrojtjen, bazuar në Traktatin historik për Partneritetin Gjithëpërfshirës Strategjik që Moska dhe Pheniani nënshkruan në qershor.
Traktati Kore e Veriut-Rusi, që u ratifikua nga deputetët rusë javën e kaluar, parashikon që nëse njëra palë pushtohet, tjetra “do të ofrojë ndihmë ushtarake dhe ndihmë të tjera “me të gjitha mjetet që ka në zotërim “pa vonesë”.
Ukraina dhe vendet lindore kanë akuzuar Korenë e Veriut për dërgimin e trupave në Rusi dhe janë të shqetësuar se ata mund t’i bashkohen përfundimisht konfliktit.
Koreja e Veriut i ka mohuar akuzat, duke thënë se ato janë një përpjekje për të dëmtuar imazhin e Phenianit. Presidenti rus Vladimir Putin as nuk i ka konfirmuar dhe as mohuar pretendimet, duke shtuar se detajet e bashkëpunimit mes këtyre vendeve nuk janë punë e askujt.