Vendosni fjalën kyçe....

SHBA paralajmëron Iranin se nuk do të mund “të ndalë” Izraelin, nëse e sulmon sërish


Administrata amerikane e ka paralajmëruar Teheranin ditëve të fundit se nuk do të mund të ndalë Izraelin, nëse Irani kryen tjetër sulm kundër aleatit amerikan, ka raportuar platforma Axios, duke cituar një zyrtar amerikan dhe një ish-zyrtar izraelit, në dijeni të zhvillimeve.

Pas sulmit të Iranit kundër Izraelit, më 1 tetor, si përgjigje ndaj vrasjeve të disa figurave të lidhura me Iranin në Lindje të Mesme, izraelitët janë përgjigjur me sulme në pika ushtarake iraniane, ndonëse nuk kanë goditur zonat bërthamore, apo ato për prodhim të naftës, siç janë frikësuar disa.

“U kemi thënë iranianëve, nuk do të mund të ndalim Izraelin, dhe nuk mund të garantojmë që sulmi i radhës do të jetë i kalibruar sikurse i mëparshmi”, ka thënë një zyrtar amerikan në kushte anonimiteti, sipas platformës Axios.

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, është zotuar të shtunën se do të hakmerret kundër sulmeve të Izraelit dhe aleateve të tij, Shteteve të Bashkuara, që kanë shënjestruar Teheranin dhe grupet që mbështet në rajon.

“Armiqtë, si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe regjimi zionist, e dinë se do të përballen me përgjigje të ashpër për atë që janë duke bërë kundër Iranit, kombit iranian, dhe frontit të rezistencës”, ka thënë Khamenei në një fjalim para studentëve në Teheran.

Ai i është referuar aleancës së grupeve të armatosura që përkrahen prej Iranit, përfshirë rebelët Huthi të Jemenit, Hezbollahun e Libanit dhe grupin palestinez, Hamas.

Hamasi dhe Hezbollahu janë shpallur grupe terroriste nga Shtetet e Bashkuara, derisa Bashkimi Evropian e ka futur në listën terroriste Hamasin, dhe vetëm krahun ushtarak të Hezbollahut.

Tensionet rajonale janë përshkallëzuar prej shpërthimit të luftës në Gazë, në tetor të vitit të kaluar.

Lufta është nxitur nga sulmet e militantëve të Hamasit në jug të Izraelit, duke vrarë 1.200 njerëz dhe duke marrë peng rreth 240 të tjerë.

Si pasojë e fushatës izraelite në Gazë janë vrarë më shumë se 43.000 njerëz, shumica gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Hezbollahu, i mbështetur nga Irani, ka nisur të sulmojë qysh atëherë zonën kufitare me Izraelin, si shenjë mbështetjeje për aleatin palestinez Hamasin.

Prej ofensivës së nisur nga Izraeli në Liban, në fillim të tetorit, janë vrarë të paktën 2.890 njerëz, sipas autoriteteve libaneze.

Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur se do të pozicionojnë asete ushtarake shtesë në Lindje të Mesme, përfshirë shkatërrues të raketave balistike dhe aeroplanë luftarakë me rreze të gjatë.

Ky njoftim është parë si paralajmërim për Iranin./REL