Nëse Donald Trump zgjidhet president i SHBA-së dhe përpiqet t’i japë fund luftës në Ukrainë, ai mund të përfundojë njësoj si John F. Kennedy, ka pohuar ish-presidenti rus Dmitry Medvedev.
Ai gjithashtu argumentoi se marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Moskës ka të ngjarë të mbeten shumë të tensionuara pavarësisht se kush do shpallet president në SHBA.
Gjatë fushatës së tij, kandidati republikan është zotuar vazhdimisht se do t’i japë fund gjakderdhjes në Ukrainë në një kohë të shkurtër, nëse zgjidhet. Megjithatë, ai nuk ka dhënë ndonjë specifikë si do ndodhë kjo. Rivalja e tij demokrate, Kamala Harris, ka sugjeruar se Trump në thelb do e detyronte Kievin të dorëzohej.
Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov ka shprehur gjithashtu skepticizëm në lidhje me aftësinë e kandidatit republikan për të ndalur konfliktin brenda natës, duke vënë në dukje se nuk ekziston asnjë “shkop magjik” me të cilin ai mund ta bëjë këtë.
Në një postim në kanalin e tij Telegram të dielën, Medvedev, i cili aktualisht shërben si zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, shkroi se Moska nuk ka pritshmëri të mëdha në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të së martës në SHBA.
Ai argumentoi se “për Rusinë, zgjedhjet nuk do ndryshojnë asgjë, pasi qëndrimet e të dy kandidatëve pasqyrojnë plotësisht konsensusin dypartiak se Rusia duhet të mposhtet”.
“Dhe nëse ai vërtet përpiqet t’i japë fund luftës në Ukrainë, ai mund të bëhet një JFK i ri”, paralajmëroi ish-presidenti rus.
John F. Kennedy, presidenti i 35-të i SHBA-së, u vra në vitin 1963.