Amnesty International ka kërkuar nga autoritetet iraniane të lirojnë menjëherë dhe pa kushte një studente, e cila u arrestua pasi hoqi rrobat e saj në shenjë proteste ndaj keqtrajtimit lidhur me zbatimin e rreptë të kodit të veshjes në vend.
Incidenti ndodhi në Universitetin Islamik Azad në Teheran, ku e reja, e cila nuk është identifikuar, pati një përplasje me anëtarët e forcave paramilitare Basij, të cilët i hoqën shaminë dhe i shqyen rrobat.
Pamjet e publikuara në mediat sociale tregojnë studenten duke hequr rrobat dhe duke dalë në rrugë me të brendshme. Një video tjetër tregon se si ajo futet me forcë në një makinë nga burra me rroba civile.
Sipas mediave studentore, ajo u ngacmua nga një anëtar i Basij për mosmbajtjen e shamisë, përcjell The Guardian.
Kodi i detyrueshëm i veshjes në Iran kërkon që gratë të mbajnë shami dhe rroba të gjera në publik.
Raportohet gjithashtu se studentja u dhunua gjatë arrestimit dhe nuk ka informacione të sakta për gjendjen dhe vendndodhjen e saj.
Amnesty International Iran ka bërë thirrje për një hetim të pavarur dhe të paanshëm mbi akuzat për keqtrajtim. Organizata theksoi se autoritetet duhet të sigurojnë mbrojtjen e saj nga torturat dhe trajtimet e tjera çnjerëzore dhe t’i lejojnë qasjen te familja dhe avokati.
Agjencia konservatore iraniane e lajmeve, Fars, konfirmoi incidentin duke raportuar se studentja kishte veshur “rroba të papërshtatshme” dhe kishte “zhveshur” pasi ishte udhëzuar nga rojet e sigurisë për të respektuar kodin e veshjes.
Duke cituar “dëshmitarë”, Fars deklaroi se rojet e sigurisë kishin komunikuar “në mënyrë të qetë” me studenten dhe hodhi poshtë pretendimet për sjellje agresive.
Ky incident vjen më shumë se dy vjet pas protestave masive në Iran, që u shkaktuan nga vdekja në paraburgim e Mahsa Amini, një gruaje kurde iraniane e arrestuar për shkelje të supozuar të kodit të veshjes.
Ato protesta u shtypën me forcë nga autoritetet, ndërsa disa gra hodhën tej shamitë në shenjë kundërshtie ndaj rregullave të detyrueshme.