Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli thotë se ka vrarë një komandant të Hezbollahut në Liban


Ushtria izraelite tha më 4 nëntor se ka vrarë një komandant të lartë të Hezbollahut, grupit militant dhe partisë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit.

Izraeli e kishte akuzuar atë se kishte mbikëqyrur sulmet ajrore dhe me raketa kundërtanke ndaj forcave izraelite në jug të Libanit.

Abu Ali Rida, komandant i Hezbollahut në zonën Baraçi në jug të Libanit, u “eliminua” gjatë një sulmi ajror, tha ushtria izraelite, pa dhënë më shumë detaje.

Rida “ishte përgjegjës për planifikimin dhe ekzekutimin e sulmeve ajrore dhe me raketa kundërtanke ndaj ushtrisë izraelite dhe kishte mbikëqyrur aktivitetet terroriste të operativëve të Hezbollahut në këtë zonë”, tha Izraeli përmes një njoftimi.

Izraeli ka vazhduar sulmet ndaj caqeve të Hezbollahut në Liban, që kur u intensifikuan luftimet mes palëve në fund të shtatorit. Në tetor, Izraeli madje nisi një ofensivë tokësore në jug të Libanit.

Në javët e fundit, Izraeli ka vrarë disa komandantë të Hezbollahut, që është grup i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërkaq Bashkimi Evropian ka në listë të zezë vetëm krahun ushtarak, por jo edhe partinë politike të grupit. Partia e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez.

Në mesin e udhëheqësve të vrarë nga Izraeli ishte edhe lideri paraprak i grupit, Hassan Nasrallahu.

Përleshjet mes Izraelit dhe Hezbollahut nisën në tetorin e vitit të kaluar, kur nisi edhe lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja./REL