Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka kërkuar lirimin nga burgu përmes një ankimi të depozituar në Apelin e Gjykatës së Posaçme. Avokati i tij, Genc Gjokutaj, tha se janë kundër kërkesave të SPAK dhe vendimit që vendosi masën “arrest me burg”.
Pas seancës, Gjokutaj shprehu mendimin se masa e caktuar për Metën nuk ka asnjë kriter të qartë dhe është e bazuar në dyshime të paqëndrueshme.
“Depozituam ankimin ndaj vendimit që caktoi masën e sigurimit dhe atij që vendosi vazhdimin e masës arrest me burg ndaj Ilir Metës.
Qëndrimi jonë është kundër kërkesës së SPAK dhe gjykatës që caktoi këtë masë. Kjo masë nuk ka asnjë kriter të përgjithshëm apo të vecantë për tu vendosur. Edhe nga pikëpamja e dyshimit të arsyeshëm që duhet të bazohet në prova, mund ta them që ky është një vendim i tipit thashethem”, tha Gjokutaj.