Ekipi që mbulon teknologjinë në median The New York Times ka nisur një grevë mëngjesin e së hënës, duke përballuar kompaninë me një kërcënim që shtrihet prej muajsh tashmë dhe mund të dëmtojë median për të mbuluar rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të kësaj jave.
Ata e quajtën grevën të drejtë pasi negociatat mes repartit dhe drejtuesve të NY Times nuk arritën një marrëveshje kontrate, thanë përfaqësuesit e “Tech Guild” për The Washington Post.
Inxhinierja e lartë e softuerit të NY Times dhe anëtare e “Tech Guild”, Kait Hoehne tha se grupi shpresonte të shmangte grevën ndërsa negociatat vijuan vonë të dielën në mbrëmje, por dështimi i drejtuesve për të bërë lëshime për çështjet kryesore i bëri punonjësit e teknologjisë të ndjeheshin sikur nuk kishin zgjidhje tjetër.
“Ne e duam punën dhe mezi presim të jemi në gjendje të kthehemi sërish.” – tha ajo, “por nuk kemi parë lëvizje të mjaftueshme nga drejtuesit edhe pse bisedojmë prej shumë kohësh. Topi është në fushën e tyre.”
Një zëdhënës i Times nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
“Tech Guild” përbëhet nga afërsisht 600 inxhinierë softuerësh, menaxherë produktesh, analistë të dhënash dhe dizajnerë, puna e të cilëve mbështet pjesën më të madhe të ofertave dixhitale të gazetës.
Hoehne tha se zgjedhjet sjellin rritje të trafikut në faqen e internetit të Times që vendos “stres mbi sistemin”. Pa inxhinierë me përvojë në dispozicion për t’u marrë me “rrjedhjet infrastrukturore që vijnë nga trafiku shtesë, ekipet e gazetarëve në terren mund të ndikohen në mënyrë të madhe,” tha ajo.