Vendosni fjalën kyçe....

Quincy Jones, gjiganti i muzikës amerikane, ndërron jetë në moshën 91 vjeçare


Quincy Jones, muzikanti dhe producenti i famshëm që ka bashkëpunuar me Michael Jackson, Frank Sinatra dhe shumë të tjerë, ka ndërruar jetë në moshën 91 vjeçare.

Arnold Robinson, publicisti i Jones, bëri të ditur se ai “u nda nga jeta në paqe” të dielën në shtëpinë e tij në Bel Air, sipas BBC.

“Me zemra të mbushura por të thyera, jemi të detyruar të ndajmë lajmin për ndarjen nga jeta të babait dhe vëllait tonë, Quincy Jones. Edhe pse kjo është një humbje e jashtëzakonshme për familjen tonë, ne festojmë jetën e tij të madhe dhe e dimë se nuk do të ketë kurrë një tjetër si ai,” deklaroi familja e tij.

Jones njihej më së shumti si producenti i albumit të famshëm të Michael Jackson, “Thriller”.

Gjatë karrierës së tij, që zgjati më shumë se 75 vjet, Jones fitoi 28 çmime Grammy dhe u shpall si një nga muzikantët më me ndikim të xhazit të shekullit të 20-të nga revista “Time”.

Ai prodhoi dhe drejtoi regjistrimin e këngës së bamirësisë të vitit 1985, “We Are The World”, dhe kompozoi muzikën e më shumë se 50 filmave dhe programeve televizive, përfshirë “In the Heat of the Night”, “The Color Purple” dhe “The Italian Job”.

Në fillimet e karrierës së tij, Jones punoi ngushtë me Frank Sinatrën dhe rregulloi këngën klasike të Sinatrës, “Fly Me to the Moon”, duke e kthyer nga një vals në një këngë swing.

Në filmin “The Wiz”, Jones bashkëpunoi për herë të parë me Michael Jackson-in 19-vjeçar. Dyshja vazhdoi të punonte së bashku për dekada, dhe Jones prodhoi albumet “Off the Wall#, “Thriller” dhe “Bad”.