Vendosni fjalën kyçe....

“SPAK nën urdhrat e Ramës, s’ka asnjë provë. Kam pasur oferta për t’u larguar nga vendi” – Meta intervistë nga qelia


Kreu i Partisë së Lirisë Meta ka përsëitur akuzat ndaj SPAK-ut e kryeministrit Rama lidhur me arrestimim e tij ndërsa hedh poshtë të gjitha akuzat ndaj tij.

Në një intervistë për Panorama, Meta e quajti rrëmbim, arrestimin e tij, njësoj siç veprojnë bandat dhe kartelet e kokainës.

Në hyrje të interevisës Meta theksoi se Reforma në Drejtësi është shndërruar në grusht shtetit përmes Ramaformës.

“Kështu që për shkak të eksperiencave të ndryshme dhe shumë të vështira në këto 34 vite, që nga Dhjetori ’90 e deri tani, vështirë të tronditem nga diçka, aq më tepër që prej vitesh unë e kam faktuar se në vend ka ndodhur një grusht shteti përmes shndërrimit të Reformës në Drejtësi në Ramaformë dhe sot këtu nuk sundon ligji dhe shteti i së drejtës, por një juntë policore, gjyqësore e bandash. Ai nuk ishte arrestim, por rrëmbim i mirëfilltë ashtu siç veprojnë vetëm bandat.” – tha Meta.

Më tej kreu i PL-së tha se ndalimi i tij dhe Sekretarit për Organizimin Artimis Peca është bërë në shkelje të ligjit e Kushtetutës dhe se u penguan të kontaktonin avokatët ndërsa shtoi se shteti i Ramës nuk e ka të gjatë.

Më tej gjatë intervistës, ish-presidenti tha se burgosja e tij është për arsye politike për të paralizuar PL-në e për të dobësuar opozitën.

“Nuk ndjehem i burgosur, por thjesht i izoluar në mënyrë ekstreme dhe të paligjshme vetëm për arsye shumë të forta politike. Së pari për të paralizuar aktivitetin e Partisë së Lirisë, si forca e dytë opozitare dhe për të dobësuar reagimin dhe veprimin opozitar. Sepse s’kishte asnjë arsye për këtë akt ekstrem kur dihet botërisht se unë gjithmonë kam qenë i hapur dhe i jam përgjigjur ftesave të SPAK-ut dhe çdo institucioni të drejtësisë. Po kështu unë i kam patur të gjitha mundësitë (edhe ofertat) për t’u larguar nga vendi dhe kjo jo vetëm s’ka ndodhur por s’ka lidhje me karakterin tim, për më shumë që do justifikoja akuzat false të Ramaformës dhe do braktisja ata që më kanë zgjedhur dhe më mbështesin.” – shton Meta.

Kreu i PL-së tha se e gjithë ajo që ka ndodhur ka të bëjë me pengimin e tij nga fushata për zgjedhjet e vitit 2025 ndrsa përsëriti akuzat se SPAK vepron me urdhër dhe për interes të Edi Ramës.

“A nuk ishte SPAK që e hoqi nga vetja “Dosjen 184” të Dibrës të cilën e mori vesh e gjithë bota se si Edi Rama dhe ministrant e tij blinin votat? A nuk ishte SPAK në zgjedhjet e 2021, që denoncimet e opozitës për blerjet e manipulimet që po bëheshin në Elbasan nga zyrtarët e lartë të PS nuk i hetoi, por ia kaloi për kompetencë Prokurorisë së Elbasanit, që ishte në konflikt interesi sepse vëllai i prokurorit ishte në  listën e PS për deputet? Dhe më pas ndodhi edhe tragjedia e Elbasanit. Apo harruat se sin ë vend të hetonte Qeverinë dhe AKSH për keqpërdorimin e të dhënave të qytetarëve nga patronazhistët, SPAK hetoi dy gazetarët që publikuan lajmin, aq sa organizatat ndërkombëtare të medias reaguan gjerësisht. SPAK vepron vetëm me regji të Edi Ramës dhe në interes të garantimit të pandëshkueshmërisë së tij.” – tha Meta.

Lidhur me akuzat e SPAK ndaj tij, Meta tha se prokuroria nuk ka asnjë fakt a provë por vetëm një dosje e mbushut me thashetheme dhe e montuar politikisht.

“Për fletërrufenë 165 faqe të SPAK-ut kundër meje mund të them me bindje të plotë se nuk ekziston asnjë fakt apo provë penale, por vetëm një tablo sinoptike “fake” e mbushur me thashetheme dhe insinuate nga njerëz që kanë patur probleme me drejtësinë, si rasti i atij kallëzuesit të Fredi Belerit, që ishte një bashkëpunëtor i policisë. Nuk ekziston asnjë akt, asnjë vendim, asnjë veprim në kundërshtim me ligjin nga Ilir Meta dhe detyrimisht asnjë pasojë në dëm të interesit publik e shtetëror. Çështjen CEZ-DIA e kam ezauruar në publik prej gati 10 vitesh. Ajo është hetuar disa herë dhe Dumani me zell të madh e ka rimarrë përsipër në dhjetor 2019, pra në kulmin e përplasjeve të mia si President i Republikës me Edi Ramën dhe McGonigalët që donin të rrëmbenin tërësisht Gjykatën Kushtetuese me betime si ajo noterja te Lana.” – shtoi Meta.

“Për më shumë se 4 vite erdhi vërdallë intervistave të inskenuara nga Dritan Prifti me personazhe absurd dhe pa asnjë integritet. Shumica e tyre kishin problem me drejtësinë si Elvis Mataj, i cili ka qenë krahu i djathtë i Kastriot Ismailit në DIA dhe i denoncuar nga ky i fundit në Prokurori për mashtrim e vjedhje. “Rilindja” ia mbylli këtë çështje për ta përdorur në Arbitrazh në Vjenë kundër Kastriot Ismailit.

Plus kësaj i mbylli edhe problemet që kishte me drejtësinë bashkëshortja e tij.

Këtë personazh se kam takuar kurrë që nga viti 2005 kur të rinjtë e LRI e përzunë si mashtrues dhe intimidues femrash. Ndërsa nga intervista e sajuar e Vojsava Ismailit, të cilën e refuzova ta takoja si Kryetar Parlamenti dhe për këtë kam njoftuar Prokurorinë e Tiranës në 2016, kanë vendosur në fletërrufe shpikjet që asaj i kanë servirur, por nuk i kanë vënë të vetmen të vërtetë që ajo ka thënë ndoshta pa dashje se “Kastrioti lidhjet me CEZ-in i kishte krijuar vetë dhe jo nga politikanët shqiptarë”.

Dhe këtë të vërtetë SPAK-u e di shumë mirë se sa herë ka qenë Kastriot Ismaili në Çeki përpara shtatorit 2009 kur unë kalova nga opozita në Qeveri.” – shtoi më tej kreu i PL-së lidhur me dosjen CEZ-DIA.

Për sa i përket akuzës për lobing në SHBA, Meta tha se respektuar të gjitha ligjet amerikane e shqiptare.

“Me bindje të plotë konfirmoj se çdo veprim apo autorizim nga ana ime ka qenë në përputhje me ligjet shqiptare dhe amerikane. Madje kur kam konstatuar në Janar 2017 se një avokat greko-amerikan, Fideszis, kishte firmosur në emër të LSI me kompaninë McKeon e kam denoncuar te Presidenti i kompanisë duke i bërë të qartë se ai s’kishte patur autorizim nga ne për të firmosur dhe së dyti kishte vendosur si terma bashkëpunimi çështje që ne nuk na interesonin. Pas këtij denoncimi, Presidenti i McKeon i bëri letër zyrtare FARA (Departamenti i Drejtësisë) ku i kërkonte zëvendësimin e asaj marrëveshjeje për arsye se personi s’kishte qenë i autorizuar nga LSI. Po kështu pagesa prej 15.000 USD si parapagim për negociata për një marrëveshje të mundshme, që nuk u finalizua është bërë me vendim të Kryesisë të LSI e përmes sistemit bankar.” – shtoi kreu i PL-së.

Ai hodhi poshtë edhe akuzën e ndërhyrjes për të ndryshuar një ligj në favor të një biznesmeni me lidhje familjare me të shoqen, Monika Kryemadhi, duke theksuar se nuk ka asnjë lidhje me këtë gjë dhe se e gjithë procedura është zhvilluar në Kuvend.

“Ky është një trillim i SPAK, pasi dihet procedura e ligjbërjes në Kuvend si fillon dhe mbaron dhe unë s’kam asnjë lidhje me këtë rast. Kryetari i Kuvendit është vetëm një deputet në votim si gjithë të tjerët. Po për 65 deputetët e Edi Ramës që e kanë votuar këtë ndryshim ç’do të thoshte SPAK? Të paktën të përfshinte në akuzë edhe Edi Ramën si bashkëpunëtorin tim në këtë rast. Por SPAK as emrin s’guxon t’ia përmendë Edi Ramës, as te ndryshimi i destinacionit të Klubit Partizani për të cilin mbahet prej Prof.Dr. Sali Berisha, lideri i Partisë Demokratike, as te inceneratori e asgjëkundi.” – thekson Meta.

Në fund kreu i PL-së u bëri thirrje strukturave që trefishojnë veprimin opozitar dhe t’u kumtojnë qytetarëve 5 prioritetet.

“Izolimi im është shumë i thellë dhe kuptohet kjo bëhet për të më pamundësuar mbrojtjen nga akuzat e turpshme të SPAK-ut, por edhe për të dëmtuar aktivitetin tim politik dhe të Partisë së Lirisë.

Jam shumë i kënaqur me solidaritetin e kolegëve dhe miqve anembanë vendit. Unë u kërkoj të gjithëve të trefishojnë përpjekjet e tyre në publik dhe terren, të përshkallëzojnë veprimin opozitar, të mos ndalen së afirmuari 5 Prioritetet tona që janë kyçe për të kaluar nga Narkoshtet te shteti i së drejtës dhe nga Narkoekonomia tek Shqipëria fuqi eksportuese përmes mbështetjes së prodhimit vendas, të bujqësisë e blegtorisë me pagesa direkte, të industrisë dhe sidomos të mbështetjes për kompanitë eksportuese.” – mbyll intervistën Meta.