Kryetarja e Parlamentit, Elisa Spiropali, ka mbajtur fjalën gjatë hapjes së Shkollës së Integrimit Evropian, duke u fokusuar në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ajo theksoi rëndësinë e muajve të fundit për vendin, sidomos pas hapjes së negociatave dhe publikimit të raportit të progresit.
Spiropali e cilësoi anëtarësimin e Shqipërisë brenda vitit 2030 si një plan ambicioz, por gjithashtu si një qëllim plotësisht të arritshëm. Ajo nënvizoi se mobilizimi i faktorit politik dhe shoqëror, arritjet e deritanishme dhe vullneti për të përshpejtuar procesin e integrimit janë elemente thelbësore për të realizuar këtë qëllim.
“Mobilizimi i faktorit politik e shoqëror, arritjet e deritanishme dhe vullneti ynë për të përshpejtuar ritmet e integrimit na bëjnë të besojmë se anëtarësimi i Shqipërisë brenda 2030 është përveçse një plan ambicioz edhe një qëllim plotësisht i arritshëm.
Gati një e treta e shqiptarëve që votojnë janë qytetarë tipikë evropian dhe se Evropa në Shqipërinë e sotme është dhe më shumë se një flamur që pret një yll me tepër në Bruksel”, u shpreh ajo.