Vendosni fjalën kyçe....

Ambasada Amerikane: Dumani dhe tre prokurorë në Brazil, bashkëpunim për luftimin trafikantëve shqiptarë të drogës


Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Brazil, ku ka takuar zyrtarë dhe prokurorë të policisë braziliane për të diskutuar lidhur me aktivitetin e bandave shqiptare në Amerikën e Jugut.

I shoqëruar nga Arben Kraja, Adnan Xholi dhe Vladimir Mara, Dumani ka bashkëbiseduar me homologët brazilianë për koordinimin e veprimeve për çmontimin e këtyre grupeve kriminale, të cilat merren me trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut drejt Europës.

Lajmin për këtë takim e ka bërë publik Ambasada Amerikane, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar.

“Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani kryesoi një delegacion që udhëtoi në Brazilia dhe Sao Paulo, Brazil për të forcuar bashkëpunimin me partnerë të rëndësishëm të fushës së zbatimit të ligjit në çmontimin e rrjeteve ndërkombëtare të krimit të organizuar.

Z.Dumani dhe kolegët e tij u angazhuan me zyrtarë dhe prokurorë të policisë braziliane të nivelit më të lartë dhe shkëmbyen informacion për fuqinë dhe rolin e jashtëzakonshëm që grupet e krimit të organizuar shqiptar kanë në transportimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut në Europë. 

Zyra Tejoqeanike për Zhvillimin, Ndihmën dhe Trajnimin e Prokurorisë (OPDAT) mundësoi vizitën, e cila u financua nga Byroja Ndërkombëtare për Narkotikët dhe Çështjet e Zbatimit të Ligjit (INL) e Departamentit të Shtetit të SHBA.

Z.Dumani iu bashkuan katër prokurorë të tjerë të SPAK-ut, këshilltari ligjor i SPAK-ut, një hetues i BKH-së, si dhe këshilltari ligjor amerikan dhe një agjent i FBI-së të vendosur pranë SPAK-ut”, thuhet në njoftimin e Ambasadës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.