Në sistemin NIP (Njësia e Informacionit të Pasagjerit), përveç të dhënave të pasagjerëve ajrorë pritet të përpunohen edhe të dhënat e pasagjerëve që udhëtojnë nga deti.
NIP është autoriteti kompetent i ngritur pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku transmetohen të dhënat e pasagjerëve prej kompanive. Më tej, në NIP të dhënat përpunohen me qëllim parandalimin e emigracionit të paligjshëm dhe krimit.
Në projektligjin “Për mbledhjen, përpunimin, transmetimin, ruajtjen, fshirjen, mbrojtjen dhe garantimin e të dhënave të informacionit të pasagjerit në Republikën e Shqipërisë” të publikuar në konsultimet publike, Ministria e Brendshme parashikon shpenzime me kosto jo më shumë se 250 mijë USD në vit për operatorin ekonomik që do të transmetojë të dhënat e pasagjerëve ajrorë dhe detarë që pritet të shtohen drejt NIP (Njësia e Informacionit të Pasagjerit).
Deri tani, të dhënat e kompanive drejt kësaj njësie që transmetohen nga një operator ekonomik janë paguar nga qeveria amerikanë në bazë të memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar me qeverinë shqiptare. Pas shtatorit 2025, kjo pagesë duhet të përballohet nga buxheti i shtetit.
Në relacion theksohet se kjo kosto është e justifikuar me rritjen e kapaciteteve të parandalimit të krimeve të rënda dhe të terrorizmit që Sektori i Inteligjencës së Pasagjerit ka arritur në këto dy vite të punës së plotë.
“Në Ligjin aktual nr. 71/2016 “Për kontrollin Kufitar”, i ndryshuar, nuk parashikohet mënyra e transmetimit të të dhënave nga transportuesit ajrorë në NIP. Aktualisht kjo bëhet nëpërmjet një operatori ekonomik, i cili paguhet nga SHBA, por që do të jetë vetëm për një periudhë 3-5 vite nga funksionimi i NIP, në zbatim të ligjit nr. 121/2020 “Për ratifikimin e memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me Bashkëpunimin për përdorimin e Informacioneve për Udhëtarët .
Deri në vitin 2025, pagesa e operatorit ekonomik do të mbulohet nga SHBA. Pas shtatorit të vitit 2025, kjo shumë, do të përballohet nga programi buxhetor “Për Policinë e Shtetit””, thuhet në relacion.
Po ashtu ligji aktual nr. 71/2016 “Për kontrollin Kufitar”, i ndryshuar parashikon vetëm transportuesit ajrorë duke e kufizuar fushën e veprimit të NIP, vetëm në përpunimin e të dhënave të pasagjerëve ajrorë, duke përjashtuar të udhëtarëve nga deti.
Sipas Ministrisë së Brendshme, mungesa e përpunimit të të dhënave të pjesës tjetër të pasagjerëve që udhëton nëpërmjet detit, aktualisht krijon një boshllëk ligjor që kërkon të mbushet sa më parë. “Aktualisht, transportuesit detarë grumbullojnë të dhënat e pasagjerëve dhe i regjistrojnë ato rregullisht duke përbërë kështu një premisë të mirë për t’u përfshirë në ligjin e ri për të dhënat API/PNR”, përcaktohet në relacionin e draftit.
Në projektligj do të përcaktohen qartë cilat janë të dhënat e pasagjerit duke specifikuar, të dhënat paraprake (API) dhe ato të regjistrimit të emrit të pasagjerit (PNR), si edhe do të shtohet që specialistët e S.I.P regjistrojnë edhe manualisht edhe automatikisht në bazën e të dhënave të pasagjerit, të paktën veprimet e mëposhtme të përpunimit të të dhënave, që kanë të bëjnë me: a) mbledhjen; b) përpunimin; c) transmetimin; ç) shkëmbimin për përdorimin kombëtar dhe ndërkombëtar; d) ruajtjen; dh) fshirjen/ shkatërrimin; e) pseudonimizimin dhe/ose anonimizimin e të dhënave; ë) mbrojtjen dhe garantimin e të dhënave.
Prej 2020, kompanitë e licencuara për transportin ajror të pasagjerëve kanë detyrimin të transferojnë të dhënat e udhëtarëve në strukturën NIP (Njësia e Informacionit të Pasagjerit).
Në të kundërt sipas vendimi me rregulloren “Për përpunimin e të dhënave të pasagjerit”, e botuar më herët në Fletoren Zyrtare, përcaktohej se në rast se subjektet e transportit ajror kundërshtojnë transferimin e të dhënave ndaj tyre do të zbatohej sanksione me gjobë që varion nga 500 mijë deri në 1 mln lekë për çdo pasagjer, deri edhe në heqjen e licencës të aktivitetit.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor