Forcat Ajrore të Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës do të prezantojnë zyrtarisht avionin e tyre të ri luftarak të fshehtë, J-35A, javën e ardhshme, duke i ofruar publikut një pamje të parë të këtij mjeti të shumëpritur që forcon kapacitetet ushtarake në rritje të vendit.
Pamja e avionit u publikua gjatë një konference për shtyp të Forcave Ajrore të martën dhe është planifikuar të shfaqet në një panair ajror në qytetin jugor të Zhuhai-t javën e ardhshme.
Zhvillimi i këtij avioni konsiderohet pjesë e përpjekjes së Pekinit për të arritur kapacitetet e avionëve luftarakë të fshehtë të Shteteve të Bashkuara, ndërsa Kina synon modernizimin e forcave të saj të armatosura dhe forcimin e fuqisë ushtarake në Azi.
Sipas një raporti të publikuar nga një burim ushtarak i lidhur me Kinën, J-35A është i dizajnuar kryesisht për operacione luftarake ajrore dhe mund të kryejë edhe sulme ajër-tokë.
Nëse ky avion do të vihet në operacion, Kina do të bëhet vendi i dytë pas SHBA-së që zotëron dy lloje avionësh luftarakë të fshehtë, sipas CNN.
Avioni i fshehtë J-20 i Kinës hyri në shërbim në vitin 2017. Avionët e tillë janë krijuar për të shmangur radarët dhe sistemet e tjera të monitorimit, duke lejuar kryerjen e misioneve pa u zbuluar.
Ekspertja ushtarake kineze, Li Li, deklaroi për televizionin shtetëror CCTV se J-35 do të zhvillohet në seri dhe ka të ngjarë të përdoret edhe si avion bazuar në aeroplanmbajtëse, gjë që do të përmirësonte ndjeshëm fuqinë e përgjithshme të luftës detare dhe ajrore të Kinës.
Ky debutim pason përforcimin e raportuar nga analistët e firmës së inteligjencës globale “Janes”për komandat kineze me më shumë avionë J-20.
Nga korriku i vitit 2023 deri në qershorin e këtij viti, Forcat Ajrore të PLA-së kanë shtuar mbi 70 avionë J-20, duke e rritur flotën operacionale në rreth 195 avionë.
Ende nuk është e qartë se kur J-35A do të vihet në shërbim ushtarak dhe ku do të vendosen këto avionë. Detajet e pakta të publikuara deri më tani e bëjnë të vështirë krahasimin e tij me avionët e fshehtë të SHBA-së si F-22 dhe F-35.
Carl Schuster, ish-drejtor operativ i Qendrës së Inteligjencës së Komandës së Përbashkët të Paqësorit të SHBA-së, theksoi se J-35A është projektuar për më shumë se 10 vjet dhe ka të ngjarë të jetë menduar për Forcën Detare të PLA-së. Ai përmendi se fluturimi i parë i J-35 u krye në vitin 2021 dhe modeli J-35A ka të ngjarë të përfshijë motorë më të fuqishëm dhe përmirësime të tjera.
Kina ka mohuar akuzat e shumta për vjedhje të teknologjisë së avionëve të fshehtë nga SHBA-ja, të cilat u bënë publike në vitin 2015 nga revista gjermane “Der Spiegel”, bazuar në dokumentet e rrjedhura nga ish-punonjësi i NSA-së, Edward Snowden.
J-35A është përshkruar si një tip i ri avioni luftarak i fshehtë, i zhvilluar në mënyrë të pavarur nga “Aviation Industry Corporation of China (AVIC)”, sipas një burimi ushtarak kinez.
Përveç J-35A, në panairin ajror në Zhuhai, i cili do të zhvillohet nga 12 deri më 17 nëntor, do të prezantohen për herë të parë edhe sistemi raketor tokë-ajër H-19 dhe dronë të rinj për zbulim dhe goditje, tha koloneli **Niu Wenbo** nga departamenti i pajisjeve të Forcave Ajrore
Raporte të mëparshme të CCTV njoftojnë se avioni i fshehtë rus Su-57 do të marrë pjesë për herë të parë në këtë panair, përkrah pajisjeve nga 49 vende dhe rajone të ndryshme.