Qytetarët amerikanë votojnë sot për të vendosur udhëheqësin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara, në një garë të ngushtë mes ish-presidentit republikan, Donald Trump, dhe nënpresidentes demokrate, Kamala Harris. Zgjedhjet janë të ndara në nivel vendi, por fokusohen në shtatë shtete kyçe që pritet të përcaktojnë fituesin.
Qendrat e votimit janë hapur që nga ora 05:00 në disa shtete lindore, dhe votimi do të vazhdojë gjatë gjithë ditës deri në orët e mbrëmjes, duke përfshirë shtetet perëndimore si Alaska dhe Hawaii.
Deri tani, rezultatet e para janë marrë nga Dixville Notch, një qytet i vogël në New Hampshire, ku janë hedhur 6 vota, 3 për Trump dhe 3 për Harris. Ky rezultat i ngushtë nuk është indicie për një fitues të mundshëm, pasi gara është ende në zhvillim dhe numërimi i votave do të vazhdojë për ditë të tëra, veçanërisht në shtete si Pensilvania, ku numërimi i votave me postë është më i ngadalshëm.
Në një fjalim gjatë një tubimi në Pittsburgh, Kamala Harris i kërkoi mbështetje popullit të Pensilvanisë, duke thënë se “momenti është në anën tonë” dhe duke premtuar se zgjedhjet do të hapin rrugën për një brez të ri udhëheqësish. Ndërkohë, Trump ka mobilizuar mbështetje në shtete kyçe, duke kërkuar mbështetje nga votuesit arabë dhe myslimanë, duke theksuar se ai do të rikthejë paqen në Lindjen e Mesme.
Dalja në zgjedhje pritet të jetë e lartë, me mbi 244 milionë qytetarë të regjistruar dhe më shumë se 78 milionë vota të parakohshme, ndërsa të gjithë sytë janë drejt këtyre zgjedhjeve të tensionuara që mund të zgjasin disa ditë për të shpallur fituesin.