Pas një greve shtatë-javore që ka shkaktuar tronditje të thella në prodhimin e Boeing, punëtorët kanë votuar për të pranuar ofertën më të fundit të gjigantit të aviacionit për rritjen e pagave.
Marrëveshja e re parashikon një rritje të pagës prej 38% gjatë katër viteve të ardhshme.
Sipas sindikatës International Association of Machinists and Aerospace Workers (IAM), punëtorët grevistë do të mund të kthehen në punë që nga e mërkura ose më së voni deri më 12 nëntor.
Greva e rreth 30,000 punëtorëve filloi më 13 shtator, duke shkaktuar një ngadalësim dramatik në fabrikat e prodhimit të avionëve të Boeing dhe duke thelluar krizën financiare të kompanisë.
Sipas IAM, 59% e punëtorëve votuan pro marrëveshjes së re, e cila përfshin gjithashtu një bonus të vetëm prej $12,000 dhe ndryshime në planet e pensionit të punëtorëve.
“Me këtë fitore dhe grevën që e bëri të mundur, anëtarët e IAM kanë ngritur zërin për respekt dhe paga të drejta në vendin e punës,” tha lideri i sindikatës, “Jon Holden”.
Kompania më parë kishte ofruar dy marrëveshje që u refuzuan nga punëtorët, ndërsa sindikata kishte kërkuar fillimisht një rritje page prej 40%.
Drejtori ekzekutiv i Boeing, Kelly Ortberg, deklaroi: “Ndërsa muajt e kaluar kanë qenë të vështirë për të gjithë ne, të gjithë jemi pjesë e të njëjtës skuadër. Ka shumë punë përpara për të rikthyer shkëlqimin që e bëri Boeing një kompani ikonë.”
Në një shenjë të shqetësimit të Shtëpisë së Bardhë për grevën në një nga kompanitë më të rëndësishme të vendit, sekretarja e përkohshme e Punës së SHBA-së, “Julie Su”, udhëtoi muajin e kaluar në Seattle për të ndihmuar në negociata.
Greva, sipas firmës konsulente “Anderson Economic Group”jnhmki, i ka kushtuar Boeing afërsisht $10 miliardë. Në tremujorin e fundit, divizioni i avionëve komercialë të firmës raportoi humbje operacionale prej $4 miliardë.
Javën e kaluar, Boeing nisi një shitje aksionesh për të mbledhur më shumë se $20 miliardë, ndërsa paralajmërimet për një grevë të zgjatur kërcënonin me ulje të vlerësimit të kreditit të kompanisë, duke rritur koston e huamarrjes.
Në tetor, Boeing njoftoi plane për të shkurtuar rreth 17,000 vende pune, me njoftimet e para për pushimet që pritet të fillojnë në mes të nëntorit.
Kriza e fundit në Boeing shpërtheu në janar pas një defekti dramatik gjatë fluturimit të një pjese të një prej avionëve të saj pasagjerësh. Gjithashtu, biznesi i saj hapësinor pësoi një goditje reputacionale pas rikthimit të anijes “Starliner” pa astronautë.