Vendosni fjalën kyçe....

Përmirësimi i sistemit TIMS/ Shpallet fituesi i kontratës 1.5 milionë euro


Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit shpalli së fundmi fituesin e tenderit për përmirësimin e sistemit TIMS.

Kontrata në fjalë parashikon ndërhyrje në disa aspekte të cilat do të zbatohen nga kompania përkatëse që në këtë rast sipas njoftimit të AKSHI-t është Communication Progress e cila ka dhënë një ofertë 148 milionë lekë apo rreth 1.5 milionë euro.

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

Objekti i kontratës “Përmirësimi i sistemit TIMS dhe modulit të kontrollit kufitar- për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit” parashikon që këto ndërhyrje të kryhen brenda një periudhe 33 muaj.

Më herët në dokumentet e procedurës nënvizoheshin disa nga elementët se pse ndërhyrja në sistemin aktual të kontrollit të kalimit të kufirit është e rëndësishme. Së pari teknologjia e vjetër: Teknologjia e vjetër është e ndjeshme ndaj kohës, duke e bërë raportimin dhe monitorimin e kalimit të kufirit më të vështirë dhe më të ngadaltë.

Së dyti mungesa e Përditësimit: Sistemi TIMS nuk ka aplikuar përditësimet e fundit te teknologjisë dhe sigurisë, duke ndikuar ne rritjen e nivelit te riskut lidhur me sigurinë.

Së treti papërputhshmëri me Rregulloret Aktuale: Rregullore të reja dhe ndryshime ligjore kane ndikuar në papërputhshmërinë e sistemit me kërkesat dhe standardet e tanishme, si rezultat i pamundësisë teknike për përditësime të sistemit për shkak të teknologjisë së vjetër.

Së katërti siguria: Sistemet e vjetra mund të kenë mungesë të sigurisë dhe janë të cenushme nga sulmet e kibernetike, duke rrezikuar integritetin dhe të dhënat e informacionit të kalimit të kufirit.

Së pesti efikasiteti dhe Shpejtësia: Për shkak të mungesës së automatizimit dhe integrimit te pajisjeve te reja, proceset e kontrollit kufitar të jenë të ngadalta dhe të mundimshme.

Së gjashti përdorshmeria: Sistemi TIMS kategorizohet si një sistem i komplikuar për përdoruesit, duke krijuar nevojën për trajnime të zgjatura dhe vështirësi në përdorimin e tyre efikas.

Kontrata parashikon që nga ana e operatorit fitues të arrihen disa qëllime ku së pari përmirësim i sistemit TIMS dhe të gjithë komunikimeve me palë të treta. Së dyti përditësimi me teknologji të kohës vetëm për zhvillimin e shërbimit. Po kështu migrimi i të dhënave, trajnimi i përdoruesve dhe së fundmi mirëmbajtja e sistemit te përmirësuar.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor