Vendosni fjalën kyçe....

Spanjollët ndihen të braktisur pas përmbytjeve, alarm i kuq për Barcelonën


Në Valencia dhe rajone të tjera të Spanjës, një stuhi e fuqishme ka shkaktuar përmbytje të mëdha, duke i lënë shumë qytetarë të mbërthyer në shtëpitë e tyre dhe duke rritur kërkesat për ndihmë. Alba Lozano Asencio dhe i dashuri i saj, Luciano Esguerra, krijuan një platformë në internet, “DANA Desaparcideo”, për të gjetur të zhdukurit dhe për të ofruar mbështetje, duke postuar përditësime me etiketën “Localizado” (i gjetur) për ata që janë shpëtuar pas përmbytjeve. Deri tani, janë gjetur rreth 30 persona dhe disa kafshë shtëpiake.

 Asencio tha për CNN se “njerëzit ndihen të pafuqishëm dhe shërbimet e urgjencës janë të mbingarkuara”, duke shtuar se faqja e saj u ofron shpresë në këtë kohë të pasigurt.

Reagimi i ngadaltë dhe i paorganizuar nga ana e autoriteteve ka shkaktuar zemërim të madh ndër qytetarët e Valencia. Gjatë një vizite të mbretit Felipe dhe mbretëresha Letizia të dielën në zonat e goditura rëndë, ata u përballën me thirrje zemërimi dhe akuza për paaftësi, ndërsa  mbi ta u hodh balte. Kryeministri Pedro Sánchez ishte gjithashtu në rajon, por u detyrua të largohej shpejt për shkak të shqetësimeve për sigurinë.

Në përgjigje të kritika dhe zemërimit të qytetarëve, qeveria spanjolle njoftoi se do të dërgojë 2,500 trupa shtesë për të ndihmuar në operacionet e shpëtimit, duke rritur gjithashtu numrin e trupave të mobilizuar në rajon në rreth 7,800 ushtarë. Po ashtu, janë angazhuar gjithsej 5,223 oficerë të Gardës Civile dhe 4,256 oficerë të Policisë Kombëtare për kërkim-shpëtimin dhe evakuimin e të mbijetuarve.

Kohë pas kohe, reshjet e dendura të shiut vazhdojnë të shkaktojnë dëme duke përfshirë edhe problemet e transportit. Aeroporti i Barcelonës El Prat ka anuluar ose vonuar rreth 70 fluturime ndërsa shërbimi i trenave dhe metrove është dëmtuar gjithashtu për shkak të stuhisë.

AEMET, shërbimi i motit i Spanjës, ka lëshuar një alarm të kuq për zonën e Barcelonës për shirat e dendur, dhe paralajmërime të tjera për më shumë përmbytje në Castellon, Valencia dhe Alicante./CNN