Izraeli i ka ndërmarrë disa hapa për ta lehtësuar qasjen në ndihma për Gazën, por deri tani nuk ka arritur ta përmirësojë shumë gjendjen humanitare në enklavën palestineze, tha të hënën zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller.
Administrata e presidentit Joe Biden i tha Izraelit në një letër më 13 tetor se kishte 30 ditë për të ndërmarrë hapa specifikë për ta adresuar krizën e rëndë humanitare në Gazë.
Gaza është rrënuar si pasojë e luftës tokësore dhe ajrore të Izraelit gjatë një viti, e cila, sipas Izraelit, ka për qëllim çrrënjosjen e militantëve të Hamasit.
Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Punonjësit e ndihmës dhe zyrtarët e OKB-së thonë gjendja humanitare në Gazë vazhdon të jenë e rëndë.
“Deri sot, situata nuk ka ndryshuar në mënyrë të ndjeshme. E kemi parë një rritje në disa aspekte. Kemi parë një rritje në numrin e kalimeve kufitare të hapura. Por, nëse i shihni kërkesat e përcaktuara në letër, ato nuk janë përmbushur”, tha Miller.
Miller tha se rezultatet deri tani nuk janë “mjaftueshëm të mira”, por theksoi se periudha 30-ditore nuk ka përfunduar ende.
Ai nuk pranoi të thoshte se me çfarë pasojash do të përballej Izraeli, nëse nuk do t’i zbatojë kërkesat.
“Ajo që mund t’ju them është se cfarë do të bëjmë se është ta respektojmë ligjin”, tha ai.
Uashingtoni, furnizuesi kryesor me armë i Izraelit, shpesh ka shtyrë Izraelin t’i përmirësojë kushtet humanitare në Gazë, prej kur filloi lufta me Hamasin, pas sulmeve të grupit militant palestinez më 7 tetor 2023 në jug të Izraelit.
Në letrën e 13 tetorit, e dërguar nga sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin, thuhet se dështimi për të treguar angazhim të qëndrueshëm për zbatimin e masave për qasje në ndihmë, mund të ketë pasoja për politikën dhe ligjin amerikan.
Seksioni 620i i Aktit të Ndihmës së Jashtme të SHBA ndalon ndihmën ushtarake për vendet që pengojnë ofrimin e ndihmës humanitare amerikane.
Izraeli njoftoi të hënën se do ta shkëpusë marrëveshjen me agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezët (UNRËA), duke cituar akuza se disa punonjës të UNRWA kishin lidhje me Hamasin.
Kreu i UNRWA-së, Philippe Lazzarini, tha se Izraeli e ka kufizuar futjen e kamionëve të ndihmës në Rripin e Gazës në mesatarisht 30 kamionë në ditë, që është numri më i ulët pas një kohe të gjatë./REL