Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi sot të ulë normën bazë të interesit nga 3% në 2.75%. Kjo është ulja e dytë e normës bazë për këtë vit, pas uljes së parë të vendosur në fillim të muajit korrik.
Guvernatori, Gent Sejko, tha pas mbledhjes së sotme se balanca e rreziqeve mbi inflacionin qëndron në kahun e poshtëm në afatin e shkurtër, ndaj Këshilli Mbikëqyrës gjykoi të nevojshëm një lehtësim të qëndrimit të politikës monetare.
“Pritjet tona për të ardhmen nuk kanë pësuar ndryshime të ndjeshme. Në skenarin bazë, ne presim një rritje të mëtejshme, të qëndrueshme e të vazhdueshme të aktivitetit ekonomik, të shoqëruar me rritje të punësimit e të pagave. Ritmi i rritjes ekonomike pritet të luhatet pranë potencialit në horizontin afatmesëm, duke mundësuar një shfrytëzim të plotë të kapaciteteve prodhuese dhe një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Paralelisht me të, inflacioni pritet të luhatet pranë niveleve aktuale gjatë tremujorit të fundit të vitit, dhe të rritet gradualisht drejt objektivit gjatë vitit të ardhshëm. Balanca e rreziqeve rreth këtyre parashikimeve është përgjithësisht neutrale. Në veçanti, rreziqet mbi inflacionin janë të zhvendosura në kahun e poshtëm në afatin e shkurtër, në prani të vijimit të goditjeve pozitive të ofertës, por ato mbeten neutrale në afatin e mesëm,” tha Sejko.
Inflacioni i çmimeve të konsumit regjistroi një nivel mesatar prej 2% gjatë tremujorit të tretë, duke shënuar një rënie të lehtë ndaj tremujorit paraardhës. Sipas Bankës së Shqipërisë, rënia e inflacionit gjatë kësaj periudhe është diktuar nga rënia e çmimit të naftës dhe rritja më e ngadaltë e çmimit të qirave. Nga ana tjetër, inflacioni i çmimit të ushqimeve shënoi një rritje të lehtë.
Sipas Bankës Qendrore, rënia e shpejtë e inflacionit gjatë vitit 2024 ka pasqyruar, në masën më të madhe, rënien e inflacionit të importuar. Ky zhvillim ka ardhur si pasojë e ngadalësimit të inflacionit në partnerët tanë tregtarë, e rënies së çmimeve të ushqimeve dhe të naftës në tregjet ndërkombëtare, si dhe e forcimit të kursit të këmbimit të Lekut.
Paralelisht me të, edhe inflacioni i gjeneruar nga zhvillimet e brendshme ekonomike e monetare ka ardhur në rënie, por kjo rënie ka qenë më e ngadaltë dhe presionet e brendshme inflacioniste ndodhen pranë mesatareve të tyre afatgjata.
Sipas Bankës së Shqipërisë, presionet e brendshme inflacioniste pasqyrojnë fazën pozitive të ciklit të biznesit në të cilën ndodhet ekonomia shqiptare. Këto presione vijojnë të ushqehen nga rritja e shpejtë e pagave dhe e kostove të punës, zhvillim i cili ushtron ndikim të kahut rritës mbi çmimet finale të konsumit, si dhe nga kërkesa relativisht e lartë për mallra e shërbime, kërkesë e cila mbështet marzhet e fitimit të biznesit.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë parashikon që inflacioni të arrijë pranë objektivit prej 3% vitin e ardhshëm, ndërsa vlerësoi ulja e mëtejshme e normës bazë do të krijojë kushte monetare më të përshtatshme për të kontrolluar ndikimin që goditjet afatshkurtra të ofertës mund të kenë mbi inflacionin në të ardhmen.
“Ajo ilustron gatishmërinë e Këshillit Mbikëqyrës për të reaguar në kohën e duhur dhe në mënyrë simetrike ndaj lëvizjeve të inflacionit në kahun e sipërm dhe të poshtëm të objektivit, si dhe është konsistente me komunikimet tona të mëparshme për të ndjekur një politikë monetare të udhëhequr nga informacioni i ri. Këshilli Mbikëqyrës vëren se balanca e përgjithshme e presioneve afatmesme po afrohet gradualisht drejt objektivit tonë të inflacionit. Në këtë kontekst, ai thekson se vendimet e ardhshme të politikës monetare do të vijojnë të kushtëzohen nga informacioni i ri, dhe në veçanti nga analizat dhe vlerësimet mbi ecurinë e presioneve të brendshme inflacioniste. Këto vendime do të jenë gjithnjë në përputhje me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve, si dhe konsistente me kahun e politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit,” thuhet në deklaratën e Këshillit Mbikëqyrës.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor