Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka uruar Donald Trump për shpalljen e fitores së tij në zgjedhjet presidenciale, duke e cilësuar këtë rikthim si një “fitore të madhe dhe të merituar”. Në një postim të tij në rrjetet sociale, Meta theksoi se kjo fitorje është një mesazh i fuqishëm për botën, duke i kujtuar gjithashtu se demokracia dhe liritë themelore janë vlera që duhet të mbrohen përballë sfidave të ndryshme, nga aktorët lokalë deri tek ata globalë.
Meta shprehu besimin se, nën udhëheqjen e Presidentit Trump, SHBA do të vazhdojnë të jenë një mbështetje e fortë për popullin shqiptar. Ai gjithashtu theksoi angazhimin e Partisë së Lirisë për të forcuar më tej partneritetin strategjik dypalësh me Shtetet e Bashkuara, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe brenda kuadrit të NATO-s.
Postimi i plotë:
Urimet më të përzemërta, në emrin tim dhe të Partisë së Lirisë, për Ju President i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump për këtë Fitore të Madhe dhe rikthim të merituar dhe me plot sakrifica të betejës Tuaj të pandalshme për mbrojtjen e vlerave të SHBA dhe kombit mik amerikan.
Triumfi Juaj është një mesazh i çmuar që kombi amerikan i jep botës se fati i demokracisë është vetëm në duart e qytetarëve dhe se sa të shtrenjta janë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, demokracia dhe pluralizmi, shteti i së drejtës dhe barazia para ligjit edhe për qytetarin e thjeshtë përballë përpjekjeve dhe qëllimeve sfiduese anti-vlerë të aktorëve lokalë, rajonalë dhe globalë.
Besimplotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën lidershipin Tuaj, Zoti President, do të vazhdojnë të jenë frymëzim dhe mbështetje e pazëvendësueshme për popullin shqiptar.
Partia e Lirisë do të mbetet gjithmonë e angazhuar për forcimin e mëtejshëm të Partneritetit dypalësh Strategjik në fushën e sigurisë dhe në NATO dhe besoj se, nën drejtimin Tuaj, ne do t’i forcojmë këto lidhje dhe zgjerojmë më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat, në interes të të dy vende dhe popujve tanë miq.