Vendosni fjalën kyçe....

Sektori bankar në rritje me 7.2%, pjesa e tregut e bankave të mëdha vazhdon rënien


Sektori bankar ka vijuar rritjen edhe në tremujorin e tretë të vitit. Të dhënat e paaudituara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, mbështetur në Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar, tregojnë se totali i aktiveve të sektorit në fund të muajit shtator arriti në afërsisht 2.057 trilionë lekë, në rritje me 55 miliardë lekë krahasuar me tremujorin e dytë. Me bazë vjetore, totali i aktiveve të sektorit është rritur me afërsisht 7.2%.

Rritja e aktiveve krahasuar me një vit më parë është e përqendruar kryesisht në segmentin e huadhënies. Vlera neto e portofolit të kredisë kishte ishte rreth 788 miliardë lekë, në rritje me 12.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Këtë vit, kreditimi po rritet me ritmet më të shpejta në më shumë se 15 vjet, i mbështetur sidomos nga gjallërimi i kredisë për biznesin.

Investimet në tituj janë grupi i dytë më i madh i aktiveve. Vlera e tyre në fund të shtatorit arriti në 771 miliardë lekë, në rritje me 7% krahasuar me një vit më parë.

Mbështetur në të dhënat paraprake të Shoqatës së Bankave, gjatë 12 muajve të fundit ka vijuar rënia e pjesës së tregut të bankave të mëdha dhe rritje e atyre të mesme dhe të vogla.

Banka më e madhe në vend, Banka Kombëtare Tregtare (BKT) në fund të tremujorit të tretë mbante 24.6% të tregut, nga 24.9% që zotëronte një vit më parë.

Credins Bank është vetmja mes pesë bankave më të mëdha që ka shënuar një rritje të lehtë të pjesës së tregut në 16.2%, nga 15.8% një vit më parë.

Pjesa e tregut të Raiffeisen Bank Albania ka rënë në 14.4%, nga 15.3% që ishte në fund të tremujorit të tretë 2023.

Edhe Intesa Sanpaolo ka zbritur në 10.2% të aktiveve të tregut, nga 10.4% një vit më parë.

OTP Albania ka rënë në 9%, nga 9.3% që ishte një vit më parë.

Pjesa e përbashkët e tregut e pesë bankave më të mëdha ka rënë në 74.4%, nga 75.7% që ishte një vit më parë.

Megjithatë, të paktën pjesërisht, rënia e peshës së bankave më të mëdha mund të shpjegohet edhe me një efekt më të fortë të kursit të këmbimit, për shkak të volumit më të madh të aktiveve në valutë të huaj. Kursi i këmbimit mes euros dhe lekut këtë vit ka vijuar rënien.

Në fund të 9-mujorit, kjo rënia arriti në pothuajse 7% krahasuar me një vit më parë. Kjo ka ndikuar negativisht vlerën e aseteve në euro në sektorit bankar, ndërkohë që raportimi për qëllime statistikore bëhet në lekë.

Nga ana tjetër, bankat e tjera të sektorit në përgjithësi kanë shënua rritje të ndjeshme krahasuar me një vit më parë. Tirana Bank është rritur në 7.2% (nga 6.6% një vit më parë), Banka Amerikane e Investimeve zotëron tashmë 7% të tregut (nga 6.9% një vit më parë), Union Bank është rritur në 5.1% (nga 4.9% një vit më parë), Banka e Parë e Investimeve (Fibank) është rritur në 2.9% (nga 2.7% një vit më parë).

ProCredit Bank Shqipëri ka ruajtur një pjesë tregu të përafërt me një vit më parë, me 2.3% të tregut, ndërsa rritje të ndjeshme ka arritur Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA), në 1.1% të aktiveve të sektorit, nga 0.7% që mbante një vit më parë./E.Shehu

VINI RE: Ku material është pronësi intelektuale e Monitor