Anija “Moliva” që ka në bord 102 kontejnerë me lëndë të dyshuara toksike pritet të ankorohet nesër në orën 8 të mëngjesit në Portin e Durrësit.
Pas ankorimit në kalatë, pritet që kontejnerët të transportohej jashtë portit në një zonë të konsideruar të sigurtë në Porto Romano.
Aty pritet të kontejnerët të mbikëqyren nga policia deri në përfundim të hetimeve. Ndërkohë nga secili kontejner do merren mostra që do dërgohen për t’u analizuar në një laborator të specializuar.
Anija u kthye në Portin e Durrësit prej nga ishte nisur drejt Tajlandës pak muaj më parë.
Pas alarmit të dhënë nga Rrjeti i Baselit mbi ngarkesën e dyshimtë, anija u ndalua dhe u kthye mbrapsht.
Hetimet për çështjen në fjalë kanë nisur më 21 gusht. Prokuroria ka kërkuar analizën e lëndës që ndodhet brenda kontejnerëve.
Mbetjet kanë dalë nga kompania “Kurum” dhe janë transportuar deri në Portin e Durrësit nga kompania “Sokolaj”, me dy kompanitë që janë gjithashtu në hetim.
Pas zbulimit të skandalit, “Kurum” ndaloi punën duke lënë pa të ardhura qindra familje, ndërsa dha si shkak për ndërprerjen e punës pamundësinë e ruajtjes së konkurrencës dhe ristrukturimin.