Deputetja opozitare, Flutura Açka, ka kërkuar ndërrimin e komisionit parlamentar ku është anëtare, duke e argumentuar kërkesën e saj me shantazhe dhe intimidime që, sipas saj, i janë bërë nga Gazment Bardhi dhe një grup të ngushtë bashkëpunëtorësh të tij.
Në një kërkesë të drejtuar Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, Açka shpjegon se kërkesa për t’u emëruar forcërisht anëtare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, miratuar në seancën e datës 27 korrik 2024, është bërë në kundërshtim me Rregulloren e Parlamentit.
Ajo thekson se shantazhet dhe presionet politike dhe personale, si dhe qëndrimi i saj si Kryetare e Komisionit, e shtynë të japë dorëheqjen më 16 korrik 2024.
“Ne seancën e datës 27.07.2024, ne shkelje te Rregullores se Parlamentit, është votuar një kërkesë personale e drejtuesit te Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, për të më emëruar forcërisht anëtare e Komisionit për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik, pas shantazheve te vazhdueshme te hapura dhe të fshehta të tij dhe të një shpure të vogël rreth tij, intimidime politike dhe personale, kundër rolit tim si Kryetare e Komisionit për Edukim dhe Mjetet Publik, gjë që më shtynë të jap dorëheqjen, e votuar kjo më datë 16.07.2024 nga Kuvend i Republikës së Shqipërisë. Pra, prej datës 26.07.2024 unë kam qenë deputete jashtë grupeve parlamentare, dhe ne përputhje me Rregulloren e Parlamentit të Shqipërisë, është në zgjedhjen time personale se në cilin komision parlamentar dëshiroj të kontribuoj.
Ne këto kushte, do të dëshiroja të merrja pjesë si anëtare e:
Komisionit për çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe te Drejtat e Njeriut, si një komision qe përfshin dhe përpunon çështje te interesit tim politik, publik dhe personal”, thuhet në kërkesë.