Vendosni fjalën kyçe....

I ofroi Nuredin Dumanit 120 mijë euro për të vrarë ish-bashkëshorten, 4 vjet e 8 muaj burg për avokatin Alban Bengasi

Gjykata e Posaçme e Apelit ka dënuar me 4 vjet e 8 muaj burg avokatin Alban Bengasi, i cili përfitoi nga gjykimi i shkurtuar pasi më herët ishte dënuar me 7 vite burg.

Bengasi i ofroi të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani 120 mijë për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij.

Blerta Bengasi u dhunua fizikisht më 30 janar 2020. Pasi u fut në makinën e saj, ajo u qëllua me grushte në fytyrë dhe mbrapa koke.

Alban Bengasi u arrestua në shtator 2023 në aeroportin e Rinasit pas 16 muajsh në arrati në Dubai.

Njoftimi

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Florjan Kalaja (kryesues), Dhimitër Lara (anëtar), dhe Engert Pëllumbi (anëtar),  më datë 07.11.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 43 akti, datë 17.07.2024 regjistrimi, mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe mbi ankimit e ankuesit/të pandehurit A.B., kundër vendimit nr. 31, datë 09.05.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka vendosur:

Deklarimin fajtor të të pandehurit B. për kryerjen e veprës penale “Dhuna në familje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 130/a-1 dhe 25 të Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim.

Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit B. për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal” të parashikuar nga neni 333/a/2 të Kodit Penal.

Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, të pandehurit B., i ulet 1/3 e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 1 (një) vit e 4 (katër) muaj burgim.

Vuajta e dënimit fillon nga dita e ekzekutimit të vendimit të caktimit të masës së sigurimit arrest në burg, në mungesë të këtij shtetasi.

Në aplikim të nenit 190 të K.Pr.Penale, të pandehurit B. ti kthehet pasaporta e sekuestruar ditën e ndalimit të tij.

Shpenzimet procedurale në fazën e hetimeve paraprake në shumën 14,598 katërmbëdhjetë mijë e pesëqind e nëntëdhjetë e tetë) lekë dhe ato gjyqësore, mbeten në ngarkim të të pandehurit.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.

Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

Ndryshimin e Vendimit nr. 31, datë 09.05.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Z. A.B. për kryerjen e verës penale të parashikuar nga neni 130/a paragrafi i parë në lidhje me nenin 28 paragrafi i katërt dhe nenin 334 pika 1 të Kodit Penal, duke caktuar si dënim masën prej 7 vjet burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Z. A.B. për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga paragrafi i dytë i nenit 333/a të Kodit Penal, duke caktuar si dënim masën 3 vjet burgim.

Në bazë dhe për zbatim të paragrafit të tretë të nenit 55 të Kodit Penal, bashkimin e dënimeve në një dënim të vetëm në masën 7 vjet burgim.

Në bazë dhe për zbatim të pikës 1 të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, uljen e dënimit me një të tretën e tij, duke mbetur përfundimisht 4 vjet dhe 8 muaj burgim.

Vuajtja e dënimit me burgim të kryhet në një institucion të ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së lartë.

Shpenzimet e procedimit penal i ngarkohen të pandehurit Z. A.B..

Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.”