Nissan do shkurtojë 9,000 vende pune dhe 20% të kapacitetit të saj prodhues global, tha prodhuesi i automjeteve të enjten, ndërsa përpiqet të ulë kostot me 2.6 miliardë dollarë të këtij viti fiskal mes një rënieje të shitjeve në Kinë dhe SHBA.
Planet nënvizojnë cenueshmërinë e prodhuesit të tretë më të madh japonez të automobilave, që nuk e ka marrë veten plotësisht nga rrëmuja që çoi në largimin e ish-kreut Carlos Ghosn në vitin 2018 dhe zvogëlimin e partneritetit me Renault.
Nissan uli parashikimin e tij vjetor të fitimit me 70% në 150 miliardë jen (975 milionë dollarë) të enjten, hera e dytë që ul parashikimin këtë vit. Ashtu si shumë prodhues të huaj të automjeteve, Nissan është duke luftuar në Kinë ku BYD dhe prodhues të tjerë vendas po gllabërojnë pjesën e tregut me makina elektrike dhe hibride shumë më të lira që mburren me teknologji modern.
Por problemi më i rëndë i Nissan mund të jetë në SHBA, ku i mungon një linjë e besueshme e makinave hibride. Kjo është në kontrast me konkurrentin japonez Toyota, që ka parë një bum të kërkesës për makina hibride.
Nissan e keqkuptoi kërkesën për makinat hibride në SHBA, tha shefi Makoto Uchida në një konferencë për shtyp.
“Ne nuk parashikuam që kërkesa për makinat hibride do rritej me shpejtësi,” tha ai.
Kompania me bazë në Yokohama po planifikon të shkurtojë 9,000 vende pune, sasi e barasvlershme me 6.7% të 133,580 punonjësve të saj në botë.