Rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë ka ngritur shqetësime të reja për strategjinë e firmave financiare amerikane në Kinë, për shkak të tensioneve të pritshme tregtare midis Uashingtonit dhe Pekinit.
Të dhënat tregojnë se, gjatë viteve të fundit, tregu kinez ka qenë një burim fitimprurës për bankat dhe menaxherët amerikanë të aseteve, por ngadalësimi ekonomik dhe ndryshimet rregullatore kanë kufizuar të ardhurat e tyre.
Trump ka propozuar rritje të tarifave mbi importet kineze deri në 60% dhe heqjen e statusit të favorizuar tregtar të Kinës, duke ngritur shqetësime për ndikimin që këto masa mund të kenë mbi operacionet e firmave amerikane në Kinë.
Shumë kompani tani po rishikojnë planet e tyre, duke menduar të minimizojnë rreziqet ose të ndalojnë zgjerimin e mëtejshëm në tregun kinez, sipas Reuters.
Një pjesë e firmave amerikane kanë filluar të zvogëlojnë praninë e tyre në Kinë për shkak të ekonomisë së dobësuar dhe mbikëqyrjes së shtuar rregullatore.
Pesë bankat kryesore të investimeve në SHBA kanë raportuar të ardhura prej 454 milionë dollarësh nga aktivitetet në Kinë për vitin 2024, një shifër ende larg nga kulmi i 1.6 miliardë dollarëve në vitin 2020.
Ekspertët paralajmërojnë se politikat e Trump mund të nxisin një periudhë pasigurie të paprecedentë në marrëdhëniet SHBA-Kinë, duke ndikuar drejtpërdrejt strategjitë e firmave financiare amerikane.
Pavarësisht sfidave, disa kompani shohin ende mundësi në përpjekjet e Kinës për të hapur tregun e saj financiar për investitorët e huaj, edhe pse me një qasje të kujdesshme për të shmangur rreziqet.
Në këtë klimë të re, firmat amerikane duhet të përshtaten për të përballuar pasiguritë e rritura dhe për të ruajtur praninë e tyre në një nga tregjet më të mëdha të botës.