Vendosni fjalën kyçe....

Rrugët në Vaqarr, Prezë dhe Ndroq, 1.6 milionë euro për rehabilitimin


Katër rrugë që janë pjesë e njësive Vaqarr, Prezë dhe Ndroq do të rehabilitohen sipas një kontrate pas mbylljes së tenderit.

Bashkia e Tiranës njoftoi në sistemin e prokurimeve se kishte lidhur kontratën me L.T.E Constuksion e cila ofroi një vlerë 165 milionë lekë apo 1.6 milionë euro pa TVSH për realizimin e punimeve. Referuar dokumenteve që shoqëronin procedurën fillestare jepen edhe detajet se cilat janë rrugët ku do të ketë ndërhyrje.

E para rruga e Burgut fshati Vaqarr, në vazhdim Rruga ka gjatësi 600 metra linearë dhe gjerësi 5 metra. “Ky aks rrugor akseson në Burgun e Vaqarrit dhe mungon plotësisht paketa asfaltike. Në disa segmente rruga ka dëmtime të mëdha dhe shkëmbimi i dy makinave është thuaje i pamundur në shumicën e gjatësisë së rrugës” thuhet në dokument.

Rruga e dytë është rruga e fshatit Mënik, Ndroq e cila ka ka gjatësi 2700 metra dhe gjerësi 3- 3.5 metra. Rruga është me shtresë zhavorri, dhe ura ekzistuese është me dërrasa dhe konstruksion metalik. Sipas dokumentit mungon plotësisht paketa asfaltike.

E treta është rruga te Ura Tabakes (te Ambulanca Pezë Helmës). Rruga ka gjatësi 600ml. Rruga është me shtresë zhavorri të amortizuar. Mungon plotësisht paketa asfaltike dhe në kohë me reshje rruga bëhet pothuajse e paaksesueshme.

E fundit është rruga te bregu Erzenit, Pezë.Rruga ka gjatësi 900 metra dhe është me shtresë çakëlli të dëmtuar. Pjesa e hyrjes së rrugës është me asfalt të dëmtuar.

Kompanisë në fjalë do ti duhet që të përfundojë punimet për rehabilitimin e rrugëve në këto njësi në një hark kohor prej gjashtë muajsh teksa paralelisht po ndërhyrjet në disa njësi administrative për rrugë problematike sipas disa procedurave të zhvilluara përgjatë këtyre muajve nga bashkia. /N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor