Vendosni fjalën kyçe....

“Vëllai yt hajdut në OSHEE, do marrë në qafë veten dhe Belinda Ballukun” – Bardhi paralajmëron ministrin Hoxha


Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi iu përgjigj ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha gjatë replikave në Kuvend duke e quajtur vëllain e tij një hajdut në OSHEE.

Bardhi e paralajmëroi Hoxhën se shumë shpejt i vëllai shumë shpejt do përgjigjej para ligjit dhe se do merrte në qafë veten dhe ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku, për vjedhjen e parave të shqiptarëve.

“Së pari njëherë, turmë je ti dhe çeta e hajdutëve që të rrethon ty, duke përfshirë edhe tët vëlla që do marrë në qafë veten dhe Belinda Ballukun me të, do e mësosh shumë shpejt pse po e them këtë. Që është një hajdut atje në OSHEE që vjedh paratë e shqiptarëve dhe të energjisë elektrike të qytetarëve.” – tha Bardhi.

Më tej demokrati e akuzoi Hoxhën si ushtar të bandave të Durrësit duke i thënë se ishte zgjedhur dhe jepte llogari te banda e Troplinëve.

Në replikën e ashpër, Bardhi tha se ishte fakt i njohur gjerësisht se ministri Hoxha ishte ushtar bandash  dhe se kishte shkelur ligjin duke përdorur forcat speciale të Policisë së Shtetit ndaj deputetëve në Kuvend.

 E para ju jeni tufë, jo ne deputetët e opozitës. Së dyti nuk e di në e lexove SMS-në që të kishte dërguar Edi Rama apo SMS-në që të kishte dërguar banda e Troplinëve të Durrësit, ushtar i së cilës je ti. Je një njeri, ushtar i bandave të Durrësit, që në marrëveshje me njëra-tjetrën të kanë zgjedhur ty si ministër i Brendshëm. Dhe kjo nuk është as gënjeshtër, as e pavërtetë, është një e vërtetë e madhe që e dinë edhe kolegët e mi të PS-së, e dinë mirë ministrat, kolegët e tu, e di mirë edhe zotrote se ke shkuar dhe shkon i falesh bandave të Durrësit dhe atyre familjes së madhe mafioze, kartelit, përfaqësues i  tyre je ti. Dhe mos guxo kurrë as të më drejtohesh mua, as t’i drejtohesh deputetëve të opozitës me epitete se zotrote mund të të vëmë nja 20 epitete merituara në rastin konkret. E sa i takon Policisë së Shtetit, nuk ka punë Policia e Shtetit në Kuvendin e Shqipërisë. Aq më tepër, forcat speciale të policisë. Po ti o shërben ligjit, o i shërben krimit dhe ti e kë bërë zgjedhjen zotrote. Ti i shërben krimit, nuk ke lidhje ti me ligjin. Nuk ke lidhje ti me rregullat si funksionon një shtet demokratik që nuk mundet policia politike të vijë e të dhunojë në mjediset e Kuvendit deputetët e opozitës. Dhe të detyrohet Garda e Republikës, një tjetër institucion në varësinë e Ministrisë së Brendshme të marrë në mbrojtje deputetët nga dhuna e policisë kriminale që ke ndërtuar ti dhe ai drejtori që ti s’e doje. Në fakt ti doje ushtarin e bandës së Troplinëve, po ta detyruan një bandë tjetër ta kishe dhe ta propozoje si drejtor të Përgjithshëm. Dakord.”­ – mbyll Bardhi replikën.

Më herët ministri Hoxha i tha Bardhit se policia kishte zbatuar ligjin me ndërhyrjen e saj për të mbrojtur Kuvendin nga turma që drejtohej nga Badhi dhe po çohej drejt institucionit.

“Z. Bardhi, e kam me juve, më dëgjo mua i nderuar deputet. Në pikëpamjen e analizës psiko-kriminale që unë kam për shkak të detyrës ti hyn te  njerëzit përsëritës gënjeshtar. Tani që ti gënjen dhe akuzon dhepastaj i beson atyre që akuzon kjo është shumë e vërtetë Policia e Shtetit ka bërë detyrën, nuk ka hyrë në Kuvend. Turma që drejtohej nga ty po sillej drejt institucioneve kushtetuese policia ishte në detyrë dhe mbrojti Kuvendin.”­ – tha para replikës së Bardhit, ministri Hoxha.