Albcontrol, kompania publike që ka në ngarkim Shërbimet e Lundrimit Ajror të Shqipërisë parashikon që fondet e saj pranë Eurocontol të mbeten të bllokuara deri në mars të vitit të ardhshëm.
Të paktën deri atëherë parashikohet që të arrihet vlera prej 140 milionë eurosh të arkëtuara sa është edhe detyrimi i shtetit shqiptar ndaj investitorit italian Francesco Becchetti të cilit Gjykata e Arbitrazhit Ndërkombëtar i dha të drejtë kundër çështjes së ngritur ndaj shtetit shqiptar.
Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit për zbatimin e buxhetit faktik 2023 nënvizon ndër të tjera këto detaje sa i takon ecurisë së detyrimeve në arbitrazhet ndërkombëtare.
“Nga auditimi në MF ka rezultuar se, sipas informacionit të depozituar nga shoqëria Albcontrol SHA, të ardhurat e realizuara nga shërbimet e ofruara nga kjo shoqëri pranë Eurocontrol janë bllokuar. Për periudhën 9 dhjetor 2020 deri 15 dhjetor 2023, fondi i akumuluar dhe bllokuar pranë Eurocontrol është në vlerën 90,539,688 Euro.
Këto fonde referuar çështjes së Arbitrazhit Ndërkombëtar parashikohet të vijojnë të jenë të bllokuara deri në mbledhjen e shumës prej 140 milion Euro, e cila sipas parashikimeve të shoqërisë mund të arrihet në muajin Mars 2025.
Kjo çështje nuk është referuar as nga ana e Avokaturës së Shtetit dhe as nga ana e MF duke shtuar risqet për financat publike” thuhet në raportin e KLSH.
Zanafilla e përplasjes mes shtetit dhe investitorit nisi në qershor të 2015-ës, kur u bllokuan asetet e Francesco Becchetti-t.
Bllokimi i këtyre aseteve çoi edhe në mbylljen e televizionit Agon Channel, element që u përdor nga Beccheti për të çuar çështjen në Arbitrazh.
Përballja e Shqipërisë me investitorin italian, Francesco Becchetti, në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve, përfundoi me një vendim në favor të tij, duke i akorduar një kompensim prej 110 milionë eurosh në vitin 2020.
Në 26 maj 2021, në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) u paraqit një tjetër kërkesë e Shqipërisë sa i takon përplasjes me investitorin italian Francesco Becchetti ku u regjistrua një kërkesë për korrigjim të vendimit për anulim të paraqitur nga Republika e Shqipërisë.
Por në prill 2023, Becchetti fiton përfundimisht Arbitrazhin me qeverinë shqiptare./N.Maho
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor