Vendosni fjalën kyçe....

Elon Musk merr pjesë në telefonatën midis Trump-it dhe Zelensky-t pas zgjedhjeve në SHBA


Elon Musk, themeluesi i Tesla dhe SpaceX, ka marrë pjesë në një telefonatë mes Presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, dhe Presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, të mërkurën, një ditë pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale, sipas një burimi të njohur me situatën, përcjell CNN. 

Presidenti Zelensky konfirmoi më parë në rrjetin X se kishte zhvilluar një telefonatë me Trump, duke e uruar për “fitore historike”.

Në postimin e tij, Zelensky theksoi rëndësinë e udhëheqjes amerikane për paqen globale dhe premtoi për të avancuar bashkëpunimin mes vendeve. 

Telefonata vjen në një kohë delikate për Ukrainën, teksa Rusia po përparon në rajonin lindor të Donbasit.

 Presidenti i zgjedhur Trump gjatë fushatës së tij ka shfaqur skepticizëm për angazhimin e vazhdueshëm të SHBA-së ndaj Ukrainës dhe ka sugjeruar mundësinë e një armëpushimi të pakëndshëm mes Ukrainës dhe Rusisë. 

Pjesëmarrja e Elon Musk në këtë bisedë ngre pikëpyetje mbi ndikimin e tij të mundshëm në administratën e ardhshme të Trump.

Musk, i cili ka mbështetur Trump përmes një super PAC që ka shpenzuar mbi 118 milionë dollarë në zgjedhje, është pozicionuar si një figurë për të udhëhequr përpjekjet për uljen e shpenzimeve qeveritare. 

 

Starlink dhe lidhjet e kontestuara të Musk 

Musk ka ndihmuar Ukrainën përmes shërbimit të tij Starlink, duke ofruar një avantazh të madh në vijën e frontit. Starlink ka mundësuar ndarjen në kohë reale të të dhënave nga dronët dhe komunikimin në zona të prekura nga luftimet. 

Megjithatë, lidhjet e raportuara të Musk me liderë të huaj armiqësorë kanë ngritur shqetësime për sigurinë kombëtare.

Raportime të mëparshme sugjerojnë kontakte të rregullta mes Musk dhe Presidentit rus Vladimir Putin, çka ka nxitur pyetje për aksesin e tij ndaj informacionit të ndjeshëm qeveritar dhe të inteligjencës amerikane. 

Një raport i “Wall Street Journal” në shtator pretendonte se Musk dhe Putin kishin diskutuar tema personale, biznesi dhe tensione gjeopolitike, ndërsa Kremlini e ka minimizuar këtë pretendim duke thënë se ka pasur vetëm një bisedë telefonike mbi hapësirën dhe teknologjitë e ardhshme.