Vendosni fjalën kyçe....

“Fraksioni i Berishës është dorëzuar te Rama, bashkëpunuan për të më goditur” – Basha


Kreu i Demokratëve Euroatlantikë Lulzim Basha shkruan se fraksioni i Sali Berishës në PD është dorëzuar pa kushte te kryeministri Rama, me të cilin i bashkojnë hallet e interesat.

Ish-kreu i selisë blu shton se Berisha ka bashkuar votat me Ramën për Amnistinë Penale, mbylljen e listave për zgjedhjet e vitit 2025 dhe në këmbim mori vulën.

Në fund Basha shkruan se është e faktuar se Rama është ndihmuar nga Berisha për ta goditur atë dhe se në bashkëpunim me kryeministrin Rama, kreut të PD-së i është shtuar pasuria, kullat e lejet e ndërtimit.

“Përrallat nga e kaluara të Sali Berishës janë justifikimi i radhës përballë dorëzimit pa kushte të fraksionit të tij tek Edi Rama, me të cilin e bashkojnë të njëjtat halle dhe interesa. Ai që i dha votat Ramës për të amnistuar të korruptuarit dhe për të mbyllur listat, dhe në këmbim mori vulën për t’u bërë patericë e këtij pushteti të korruptuar, riciklon mashtrime të lodhura për të justifikuar dështimin e pseudo-revolucionit, që nuk ndezi kurrë. Përpjekja qesharake për t’u hedhur hi syve demokratëve, për t’i tërhequr zvarrë në zgjedhjet që ai kërkon t’ia falë në tavolinë Edi Ramës, i shtohet viktimizimi i tij përballë McGonigal. Berisha është munduar vazhdimisht gjatë kësaj kohë të rishkruajë historinë, sipas nevojës dhe hallit të tij. Faktet zyrtare të provuara edhe në gjykatën amerikane, tregojnë se Edi Rama bëri gjithçka kundër meje i ndihmuar edhe nga Sali Berisha me riciklimin e të njëjtave akuza e për këtë fakt ai duhej të ndihej i turpëruar e jo të vazhdontë ciklin e mashtrimeve. Por, më e çuditshmja në gjithë këtë histori është fakti se ndërkohë që unë, sipas tij paskam qenë në bashkëpunim me Ramën, Sali Berishës dhe familjes së tij i shtoheshin lejet e ndërtimit, kullat dhe pasuria.” – shkruan Basha.