Komisioni Hetimor për Koncesionet në Shëndetësi po afrohet në fund, por gjatë mbledhjes së sotme, kryetarja e komisionit, Albana Vokshi, shprehu shqetësimin për mungesën e dëshmitarëve. Ajo theksoi se dëshmitarët e ftuar po sjellin vetëm raporte mjekësore dhe epikriza, një praktikë që Vokshi e konsideroi si të pazakontë dhe të papranueshme për një proces hetimor.
Në veçanti, Vokshi përmendi refuzimin e tre aksionarëve të kompanive italiane të angazhuara në sterilizimin e pajisjeve mjekësore, të cilët nuk janë paraqitur si dëshmitarë. Ajo paralajmëroi se të hënën do të njoftohet policia dhe do të merren masa për të siguruar praninë e tyre në komision.
Po ashtu, Vokshi ngriti shqetësimin për disa dëshmitarë që kishin sjellë raporte mjekësore për të justifikuar mungesën e tyre. Ajo përmendi dy raste, të Altin Bibës dhe Artan Lleshës, të cilët paraqitën raporte të lëshuara nga mjekët që dyshoheshin për probleme shëndetësore, duke penguar kështu pjesëmarrjen e tyre në komision.
“Nuk e di nëse është trajtuar në seancë plenare, por nuk kemi përgjigje për kërkesën që kemi bërë si anëtarë të opozitës.
Nuk kemi shkaktuar asnjë problem, asnjë pengese sepse kemi dashur që të vijë normalisht, pavarësisht se kemi qenë në mosbindje civile.
Kemi qenë në këtë komision kurdo që është thirrur edhe në mënyrë të një anshme.
Shqetësimi që dua ta ngre sot është që po avullojnë dëshmitarët. Tani që jemi në fundin e afatit që ka caktuar kanë filluar të gjithë të sëmuren rëndë, të na sjellin epikriza, raporte 10 ditore.
Kemi dy dëshmitare që kishim thirrur sot për të dëshmuar, kemi Altin Bibën, që thotë se është me raport 10 ditor. Artan Lleshi, i cili na sjell një epikrize për disa dyshime në shëndet”, tha ndër të tjera Vokshi.